
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot lidhur me procesin e vaksinimit se orientimi i Qeverisë së Kosovës është evropian dhe autoatlantik, prandaj edhe e shohin me skepticizëm ndihmën e ofruar nga shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
Këtë e ka lidhur edhe me shtetet si Rusia e Kina, që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, e të cilat janë prodhuese të mëdha të vaksinave anti-COVID.
Kurti nuk ka përmendur emrat Kinë e Rusi, por u është referuar si “fuqi të mëdha”.
“Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skeptizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka thënë Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Deri më tash, në Kosovë kanë ardhur vetëm 24 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca, si pjesë e programit COVAX, ndërkaq Kurti u shpreh se se masat kanë qenë të nevojshme, pasi në dy javët e fundit ka pasur rritje të rastërve të cilat kanë tejkaluar kulmin e dy dhjetorit të vitit të kaluar.



