
Policia e Himarës në vijim të kontrolleve në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, në vendin e quajtur “Porto Palermo”, ka sekuestruar 120 çadra dhe shezlongë.
Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, për I. S., 32 vjeç, banues në Tiranë dhe A. L., 47 vjeç, banues në Himarë.
Shërbimet e Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 120 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “Porto Palermo”.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.



