
Dy persona kanë humbur jetën pasditen e sotme në Kavajë, si pasojë e një konflikti ku u përdorën armë zjarri dhe thika.
Policia bën me dije se viktimat janë Edomd Gosa dhe Altin Rexha, të dy 43 vjeç.
Nga verifikimet e kryera nga grupi hetimor, pas gjetjes së dokumenteve të identifikimit, shtetasi Altin Rexha e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Sali Rexha.
Shtetasi Edmond Gosa e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Armand Gosa.
Në njoftimin e "bluve" mbi ngjarjen e rëndë thuhet:
Më datë 29.03.2023, në Kavajë, tek kryqëzimi i valutës, ka ndodhur një konflikt midis dy shtetasve, ku shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Altin Rexha, 43 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur me armë zjarri shtetasin Edmond Gosa. Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve paraprake në vendngjarje, do të kemi një informacion vijues".



