Qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit e Tepelenës zgjedhin sot kryebashkiakët e rinj, ndërsa në garë janë 13 kandidatë.
Në Vlorë, gara zhvillohet mes Bruna Mersinit të Partisë Socialiste, Dionis Sotës që mbështetet nga Partia Demokratike dhe Gjergj Nikës, që garon si i pavarur pasi është shkëputur nga radhët e demokratëve.
Edhe në Cërrik dhe Mat garojnë nga 3 kandidatë. Në Cërrik kryetari aktual në detyrë, Florenc Doka përfaqëson socialistët, ndërsa përballë tij janë mjeku Amarildo Hoxha që kandidon i pavarur me mbështetjen e PD-së dhe Eligert Hima, i cili është rikthyer nga Italia nën siglën e Shqipëria Bëhet.
Në Mat, opozita mbështet kandidaturën e pavarur të avokatit Eduart Brahilika, ndërsa radhët e socialistëve janë përçarë. Kjo pasi kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat kandidon si e pavarur. Në këtë bashki janë 29 092 votues.
Në Berat, përballja është mes Ervin Cecës dhe Pavlo Shkarpës, i cili garon si pavarur dhe mbështetet opozita.
Ndërsa në Tepelënë ish-kreu i Gardës Gramoz Sako, në Tepelenë garon përballë kandidatit të mbështetur nga Partia Demokratike Gabriel Guma.
Sipas informacioneve nga KZAZ e Cërrikut, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme lokale ka nisur normalisht në të gjitha qendrat e votimit të kësaj bashkie.
Përjashtim bën vetëm qendra e votimit nr. 25/45, e cila ndodhet në një nga zonat periferike të Cërrikut, ku është raportuar një problem teknik me pajisjen e identifikimit biometrik (PEI).
Edhe në Vlorë në disa qendra votimi ka probleme me pajisjen PEI të identifikimit të qytetarëve.
Sipas korrespondendes së MCN Tv, pjesëmarrja është e ulët për shkak të reshjeve të shiut dhe kohës të keqe në Vlorë.
Në Bashkinë e Matit procesi i votimit ka nisur që në orën 7:00 mëngjesit në të gjitha qendrat.



