
Ashtu sikundër ishte njoftuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë të dielën nga protesta masive. Mijëra protestues u mblodhën jo vetëm në Uashington, por edhe në qytete të tjera në mbarë Shtetet e Bashkuara kundër politikave të administratës Trump, për ndarjen e familjeve në kufirin mes Meksikës dhe Amerikës.
Tubimi më i madh raportohet të jetë organizuar përpara Shtëpisë së Bardhë, ku protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej "Familjet nuk duhet të ndahen","Familjet duhet të qëndrojnë të bashkuara”, e të tjerë.
"Shtetet e bashkuara të Amerikës janë vendi i emigrantëve", -thonin protestuesit, duke shprehur hapur qëndrimin kundër politikave të administraës së presidentit Donald Trump për emigracionin.
Pavarësisht se ai u tërhoq nga ndarja e familjeve në kufirin me Meksikën, duke firmosur urdhrin më 29 qershor, as ky veprim nuk e përmirësoi gjendjen. Gjykata federale urdhëroi zyrtarët të mos mbajnë më në paraburgim prindërit e veçuar nga fëmijët e tyre, si dhe vendosi afate për ribashkimin e familjeve të ndara.
Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, ishte shprehur se “një krizë ka shpërthyer në kufirin tonë jugperëndimor, për të cilën është e domosdoshme të shtohen përpjekjet për të ndjekur penalisht ata që kalojnë ilegalisht kufirin”.
Kjo për shkak se shumë prindër ende nuk kanë mundur të kontaktojnë më fëmijët e tyre të mitur, ndërsa këta të fundit vazhdojnë të kërkojnë prindërit e tyre që mbahen ende në paraburgim. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, 2047 fëmijë vazhdojnë të jenë të veçuar nga prindërit e tyre. Autoritetet njoftuan se mbi 500 fëmijë janë ribashkuar tashmë me prindërit e tyre.



