Dy parti euroskeptike drejt aleancës për qeverisjen e Italisë, dakordësitë e para

Dy parti euroskeptike drejt aleancës për qeverisjen e Italisë, dakordësitë e para

Lëvizja 5 Yjet, partia e majtë antiestablishment dhe Lega e së djathtës ekstreme, duket se po shkojnë drejt një aleance për qeverisjen e Italisë. Pavarësisht se qëndrojnë në dy ekstreme të kundërta të spektrit politik, të dyja ndajnë të njëjtin qëndrim skeptik ndaj BE-së.

Që prej zgjedhjeve të 4 marsit, partitë kryesore kanë bërë përpjekje të natyrave të ndryshme për koalicion, por pa sukses. Pa shumicën në Parlament, as Lega dhe as Lëvizja 5 Yjet nuk qeverisin dot të vetme.

Ky ngërç politik e ka detyruar presidentin Sergio Masttarella të paralajmërojë emërimin e një kryeministri apolitik në krye të një qeverie neutrale, për ta çuar vendin në zgjedhje të tjera.

Pikërisht në këtë moment, Lega dhe 5 Yjet njoftuan për progres në negociatat mes tyre.

“Na duhet kohë për të biseduar rreth programeve, taksave, politikave të punësimit, pensioneve, emigracionit dhe arsimit”, tha fillimisht Salvini pas një takimi me kreun e Lëvizjes 5 Yjet, Luigi Di Maio.

Mundësia e një koalicioni mes këtyre dy partive nisi të shihej menjëherë pas zgjedhjeve, por Lëvizja 5 Yjet vuri kusht largimin e Forza Italias së Berlusconit, partia aleate e Lega-s. Salvini refuzoi të prishte aleancën parazgjedhore me Berlusconin, por ky i fundi ka dhënë së fundmi sinjalet se është dakord për një koalicion Lega-5 Yjet, ndërsa me aleatin e djathtë do ta vijojë koalicionin në nivel lokal.

Para zgjedhjeve të marsit, Berlusconi e ka cilësuar Lëvizjen 5 Yjet “një sekt”, politikanët e të cilit “janë më të këqij se komunistët”.

Çfarë i bashkon Legën dhe 5 Yjet

Pavarësisht se vijnë nga kampe të ndryshme, të dyja këto parti janë skeptike kur është fjala për Bashkimin Europian. Një nga pikat ku ato bashkohen është qëndrimi rreth asaj që e quajnë kufizimi i borxhit i imponuar nga BE-ja. Të dy palët besojnë se kriza dhe plani europian për daljen prej saj e kanë dëmtuar Italinë. Ato besojnë se zgjerimi ekonomik përmes shpenzimeve shtesë dhe shkurtimit të taksave janë mënyra e vetme për të rikthyer vendin në rrugën e rritjes ekonomike. Vetë Salvini është shprehur shpesh se do të vërë në zbatim politika që janë e kundërta e atyre që do Brukseli.

Po ashtu, të dy partitë ndajnë qëndim kritik ndaj përdorimit të euros. Lega është kritike e fortë e monedhës europiane në të gjithë bllokun, duke e cilësuar euron një monedhë e dështuar, nga përdorimi i të cilës përfiton vetëm Gjermania. Ndërsa Lëvizja 5 Yjet ka kërkuar një referendum mbi qëndrimin ose jo në zonën euro, një qëndrim është përsëritur së fundmi nga ish-themeluesi i partisë, Beppe Grillo. Por lideri aktual, Luigi Di Maio, thotë se një referendum i tillë do të ishte mjeti i fundit që përdoret nëse BE-ja nuk ndryshon politikat e saj ekonomike.

Të dy partitë janë të pakënaqura me politikat aktuale të BE-së për tregtinë. Mes ndryshimeve që kërkojnë ato janë edhe rivendosja e mbrojtjes dhe subvencioneve për fermerët italianë. Të dy partitë mendojnë njësoj edhe për investimet e huaja: qeveria e majtë u ka hapur rrugë, duke bërë që të dobësohen kompanitë italiane.

Lega ka një qëndrim të rreptë për emigracionin. Italia është “porti” ku ndalojnë anijet që mbërrijnë në Mesdhe nga Afrika e Veriut. Vetë Salvini gjatë fushatës është zotuar se do të dëbojë më shumë se 500 000 emigrantë që kanë hyrë në vend gjatë katër viteve të fundit. Edhe pse Lëvizja 5 Yjet nuk e ka ngritur shumë zërin për këtë çështje, ajo mbështet të djathtën kur është fjala për emigracionin.

Dakordësitë e para

Ndërsa bisedimet për të përafruar programet vijojnë, kanë nisur të dalin detajet e para në lidhje me çështjet ku ato konvergojnë. Pas takimit të dytë mësohet se të dy palët janë dakord për taksën e sheshtë. “Ekziston një konvergjencë shumë e fortë midis Lëvizjes 5 Yjet dhe Lega-s mbi taksën e sheshtë, e cila ka përfitime të jashtëzakonshme në klasën e mesme", thonë për ANSA, burime pranë Lëvizjes 5 Yjet.

“Taksat e sheshtë, - nënvizojnë ata, - është një element interesant që mund të konceptohet pa qenë as shumë penalizues për shtresat e ulëta dhe as shumë i favorshëm për ato të larta”.

Po ashtu, duket se dy partitë do të gjejnë dakordësi edhe për deficitin. “Nuk do të ketë asnjë presion për deficitin me BE-në”, tha sot Di Maio i Lëvizjes 5 Yjet, sipas të cilit është gjetur mirëkuptimi me Legën. “Objektivi fillestar është respektimi i kufirit dhe moskalimi mbi 1.5%. “Ideja është që të vijojmë me kujdes si një qeveri racionale që i peshon mirë gjërat”, thotë ai.

Ndërsa negociatat do të vijojnë, ajo që është pothuajse e sigurt është një emër i tretë për kreun e qeverisë. As Di Maio dhe as Salvini nuk do të jetë emri që pritet t’i dërgohet për dekretim presidentit Sergio Mattarella deri të dielën.   / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy