
Në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit thellohet skandali që lidhet me Shoqatat Rajonale Fantazmë. FSHF po përpiqet t’i legalizojë ato në gjykatë pasi kanë vepruar në anonimitet dhe ilegalitet të plotë për shumë vite nën urdhërat e institucionit të futbollit.
Shorti për regjistrimin e tyre është hedhur sot në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Katër prej këtyre shoqatave kanë të drejtë vote në Asamblenë e FSHF-së.
Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës, Shoqata Rajonale e Futbollit Lezhë, Shoqata Rajonale e Futbollit Fier dhe Shoqata Shqiptare e Minifutbollit po tentohet të regjistrohen sot nga FSHF për të thelluar edhe më shumë skandalin që i rrethon ato dhe votimin e tyre të jashtëligjshëm në Asamble.
Një përpjekje e tillë dhe votimi i këtyre Shoqatave në Asamblenë e 7 shkurtit mund të deligjitimojë plotësisht procesin e zgjedhjeve për president të FSHF-së duke e bërë të jashtëligjshëm pasi thyen plotësisht Statutin e këtij institucioni.
Zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit do të mbahen më 7 shkurt.



