
Britania e Madhe do të dërgojë ekspertë ushtarakë në Bosnjë e Hercegovinë, në kuadër të mbrojtjes nga kërcënimi rus.
Vendimi i Britanisë së Madhe është bërë me kërkesë të selisë së NATO-s në Sarajevë. Pritet që ekspertët britanik të mbështesin dhe trajnojnë forcat e armatosura në Bosnjë.
Qëllimi është të forcohet selia e NATO-s dhe aftësia e vetë Bosnjës për t'i rezistuar ndikimeve keqdashëse dhe për të bllokuar përpjekjet për të minuar demokracinë në Bosnje dhe në rajon.
Duke folur mbi vendimin, Kryeministri britanik deklaroi:
Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një tjetër shesh lojërash për synimet e dëmshme të Vladimir Putinit”.
Kjo është arsyeja pse ne po shtojmë mbështetjen për Bosnje dhe Hercegovinën, duke iu përgjigjur thirrjes nga miqtë tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes që me të drejtë meritojnë të gëzojnë".
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu planifikon të akordojë 750,000 paund për të krijuar një qendër të sigurisë kibernetike brenda Universitetit të Sarajevës, në mënyrë që të luftojë në mënyrë efektive sulmet kibernetike përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Po ashtu Londra planifikon të punojë ngushtë me mediat dhe institucionet lokale për t'i pajisur ato me mjete për të identifikuar dhe zbutur efektet e lajmeve të rreme dhe dezinformatave.



