Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar një ligj, i cili lejon që të ardhurat nga sekuestrimi i aseteve ruse të përdoren për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.
Një shumicë dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së votoi për miratimin e legjislacionit për sekuestrimin e aseteve për aktin e rindërtimit të Ukrainës.
Legjislacioni i mbështetur nga Abigail Spanberger shtyn Presidentin të shpallë një gjendje emergjence duke zhbllokuar autoritetin e qeverisë federale për të konfiskuar fonde ose prona me vlerë mbi 5 milionë dollarë nga rusët e sanksionuar ose të huajt e lidhur me qeverinë ruse, pas nisjes së agresionit ndaj Ukrainës.
Fondet e fituara nga ky sekuestrim dhe shitja e aseteve të oligarkëve do të shkojnë për rindërtimin pas konfliktit në Ukrainë, ndihmën humanitare, ndihmën ushtarake, zhvendosjen e refugjatëve ose teknologjinë për të siguruar rrjedhjen e lirë të informacionit për popullin ukrainas.
Spanberger është anëtare e Grupit të Kongresit kundër Korrupsionit të Huaj dhe Kleptokracisë, një grup dypartiak i anëtarëve të Kongresit që ka udhëhequr miratimin e suksesshëm të disa pjesëve të legjislacionit kundër korrupsionit.



