Në Francë, qeveria e Michel Barnier pritet të rrëzohet. Nyja e krizës është bërë projektligji për financimin e sigurimeve shoqërore, i cili duhej të shqyrtohej nga deputetët por Barnier, duke folur në parlament njoftoi përdorimin e nenit 49.3 të Kushtetutës, i cili lejon miratimin e një ligji pa kaluar në votim parlamentar.
Në fjalën e tij në parlament të martën Barnier tha se “Francezët nuk do të na falnin nëse do të vendosim interesa të veçanta ndaj të ardhmes së kombit”.
Ai hasi menjëherë në debat me dy forca politike, La France Insoumise të krahut të majtë dhe atë të Marin Le Pen të krahut të djathtë. Kjo e fundit konfirmoi se do të votojë së bashku me të majtën për të rrëzuar qeverinë.
Nëse votimi të mërkurën kryhet, administrata e Barnier, e cila mori detyrën vetëm në shtator, do të ishte e para në Francë që do të rrëzohej me një mocion mosbesimi që nga viti 1962.
Rënia e saj, nga duart e partive të ekstremit të djathtë dhe të majtë, do të ishte një goditje e rëndësishme për Evropën disa javë përpara se Donald Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.



