
Deputeti demokrat Dashnor Sula, njëherazi edhe anëtar i Komisionit për Reformën zgjedhore në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN TV deklaroi se në Shqipëri është e pafalshme që akoma votohet me metodën tradicionale.
Ai tha se reforma zgjedhore ka nevojë për vullnet politik, ndërsa shtoi se Partia Socialiste ka qasjen për të sjellë në parlament të fortët dhe të korruptuarit.
Mendoj që ky komision i reformës zgjedhore është i rëndësishëm në këtë moment që është ngritur, por mendoj se nuk është diçka e lehtë. Është një problematikë që mund të hasë në pengesa për shkak dhe të interesave partiake veçanërisht të PS. Mendoj se do kemi zhvillime të rëndësishme gjithsesi dhe gjithçka ka të bëjë me vullnetin politik, sepse ka shumë problematika dhe është e turpshme për politikën shqiptare që emigrantët nuk arrijnë akoma të votojnë në Shqipëri. Pastaj kemi parasysh që është e pafalshme që votohet akoma me laps apo numërimi me laps. Kjo është një defekt i madh që duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. S’ka logjik të rrish një javë për të numëruar votat kur mund të jetë votimi elektronik. Tani jemi në momentin që forcat politike dhe PS veçanërisht do të ketë të njëjtën qasje duke sjellë në parlament të fortë, biznesmen me fitim të dyshimtë dhe para më pas të përdorura për të blerë mandate apo edhe kemi parasysh elementë të korruptuar nga administrata. Ky është një realitet, dhe për ndryshimin e kësaj duhet vullnet politik dhe këtë e kanë në dorë kryetarët e partive.
Ndërsa lidhur me rritjen e çmimeve dhe protestat e paralajmëruara nga kryetari i PD, Berisha, Sula tha se do i bashkohet çdolloj proteste që ka atë bëjë me qytetarët. Ai theksoi se duhen të paktën 600 mijë lekë për ushqimet bazë për një familje shqiptare, ndërsa shtoi se qeveria pasurohet nga xhepat e qytetarëve.
Kjo është e padiskutueshme, unë marr pjesë në çdo protestë dhe pa diskutim sepse në radhë të parë ka të bëjë me qytetarët dhe jo politikën. Është për të ardhur keq sjellja e maxhorancës që bëjnë sikur nuk shohin këtë gjendje katastrofike ku ndodhet Shqipëria sot. Është për të ardhur keq që njerëz të politikës shohin deri te porta e vet sikur nuk kanë nëna, motra e vëllezër. Duhen të paktën 600 mijë lekë për ushqimet bazë, pa diskutuar mishin dhe frutat. Sipas shifrave të INSTAT janë 342 mln euro të grumbulluara nga taksat dhe ku ka logjikë që qeveria të pasurohet nga taksat, kjo duke zhvatur xhepat e qytetarëve.



