
Rritja e kurbës së rasteve me Covid-19 ka bërë që rëndom edhe numri i testeve nga ISHP të rritet në masë më të madhe. Në një komunikim në Skype me edicionin e lajmeve në TvT, mjekja e institutit të Shëndetit publik, Rovena Daja, sqaron se bëhet fjalë për një shtim real të numrit të të prekurve me Covid-19, me gjithë numrin e lartë të testeve që çdo ditë arrin mbi 300 të tilla.
“Rritja e numri të të infektuarve është reale, sa i përket testeve, përveç ditëve të shtune e të diel, kur testohet më pak, ditët tjera, numri i testeve shkon mbi 300. Sipas të dhënave të laboratorit, virulenca është e njejtë, virusi është i njejtë”.
Me gjithë këto, për dr.Daja, në favorin tonë, tashmë janë ngritja e temperaturave të larta dhe plazhi në det, të cilat ndikojnë , sipas saj në uljen e forcës së virusit.
“Në temperatura të larta dhe në det, virusi shkatërrohet, muaji qershor nuk ishte i favorshëm për shkak të moti që mbajti, por muajt korrik e gusht, do të jenë në favorin tonë”.
Mjekja e Institutit të Shëndetit publik, shpreh frikën se me fillimin e funksionimit të transportit publik, poqese nuk respektohen masat strikte për mbrojtjen nga Covid, do të ketë risk të madh për popullatën.
“Plazhet nuk i kam frikë, transportin e kam frikë, të përdorin masa, dezinfektantë, njerzit të mos e përdorin shumë transportin, kush ka mundësi të ecë këmbë nëpër qytet ose me makinë, sepse ka risk të madh nëse autobusat mbushen siç ndodh zakonisht".
Lidhur me çështjen e të infektuarve të disa edukatorëve në kopshtet dhe çerdhet në vend, mjekja e ISHP, sqaron se edukatorët e infektuar në rastet kur ka pasur, tashmë janë testuar dhe izoluar, për tu mbyllur më pas edhe qerdhet përkatëse.
Bazuar në komunikimin e sotëm të ministres së Shëndetësisë, se po punohet për hapjen e spitalit Covid 4, dr.Daja, shprehu bindjen se me kapacitetet ekzistuese të Spitalit Infektiv të cilat janë 120, deri më tani janë të shtruar 80 pacientë me koronavirus, dhe se nuk besohet se do të arrihet të shfrytëzohen spitalet tjera. Me gjithë faktin se MSH përgatitet për çdo skenar të mundshëm, për shkak të numrit të vogël të të shtruarve, për momentin nuk është e nevojshme shfrytëzimi i tre spitaleve të tjera Covid, shprehet znj.Daja.



