Nis sot nga bregdeti i Vlorës, Plani i Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë.
Ka qenë kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, bashkë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, që kanë ndërmarrë nismën për pastrim dhe higjienizim në qytetin bregdetar.
Rama ka theksuar se ky “nuk është vetëm operacion pastrimi”, po edhe një sistem i ri administrimi, financimi, monitorimi dhe bashkëveprimi me pushtetin vendor, si edhe me qytetarët.
Sipas Ramës, të gjithë në rrjete sociale, janë ambientalistë, por në fakt duhet të angazhohen të gjithë në praktikë.
Gjithashtu Rama ka bërë të ditur se, fillimisht do të pastrohen të gjitha pikat e nxehta, pastaj do të garantojmë që të mos rikrijohen këto mbetje.
Gjithë këto plehra këtu nuk i ka sjellë një forcë e mbinatyrshme, janë një ndotje e gjithë neve së bashku. Nëse secili të mos e hedhë një shishe, apo secili që vjen me familjen, të marrë me vete ato mbetje që prodhon, atëherë ne nuk do turpëroheshim të gjithë nga ky vend i mrekullueshëm, që na e kanë zili shumë por jemi në arsyeja se përse lëmë një shije të hidhur për ata që e vizitojnë. Më bën përshtypje se i ndjek qytetarë në rrjetet sociale, kur vjen puna për komente të gjithë janë ambientalistë. Kur mendo sa pak janë, jo vetëm me fjalë por me sjellje, duhet gjithkush të kthehet nga vetja. Të jesh patriot nuk do të thotë të zbrazësh pushkë në FB, e të luftosh për atdheun duke komentuar nga kafeneja ose nga shtëpia.
Rama u shpreh se ky është angazhimi kryesor për kryetarët e bashkive, duke deklaruar se kazanët e qytetarëve duhet të ndahen nga ato të bizneseve në qytet.
“Ministrja bashkë me të deleguarit tanë në çdo qark do jenë në çdo mbledhje të këshillave bashkiakë dhe bëjnë thirrje për rrëzimin e buxhetit nëse nuk janë fondet e domosdoshme për pastrimin. Çdo bashki sot ka në dispozicion një pikë fundore për depozitimin e mbetjeve, Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve dhe fushat sanitare apo landfillet. Asnjë bashki nuk do lejohet që të krijojë pika të tjera të paligjshme grumbullimi. Për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive. Për këtë do të vlejë kostumi që thashë. Është kollaj për bashkitë që duke i hedhur plehrat rrugëve. Pika më e nxehtë është dhe pika më e rëndësishme për turizmin dhe ekonominë tonë sot. Është e patolerushme që kryetarët e bashkive bregdetare ta konsiderojnë këtë si punë angari. Pastrimi duhet të jetë në maksimum. Kazanët e mbetjeve nuk janë për bizneset. Duhet të ndahen kazanët për qytetarët dhe bizneset”, tha Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “puna ka nisur në të gjithë qarqet”, kryesisht në zonat bregdetare.
Plani i Veprimeve, sipas ministres, do të zgjasë për një periudhë kohore prej një muaji dhe do të përfshijë kontributin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FASH), institucioneve të tjera publike, si dhe shërbimin vullnetar. Kumbaro deklaroi se Vlora nuk mund ta ngrejë flamurin e kombit në këtë muaj të festave kombëtare pa pasur edhe flamurin e pastërtisë.
“Është përgjegjësi e atyre që kanë detyrë mbrojtjen e territorit. Nuk mund ta lëmë në këtë derexhe. Nuk do kishte muaj më të mirë për ta nisur. Nuk mund të ngrihet flamuri i Kombit në Vlorë pa flamurin e pastërtisë. Është e rëndësishme që të gjithë të ndërgjegjësohen për ta mbajtur të pastër. Qeveria e ka menduar ta kthejë këtë në sistem. Në momentin kur po përgatisim buxhetin për vitin 2022, do krijohet një task forcë për bashkitë më problematike që kanë popullim gjatë sezonit turistik. Shtohet fondi në destinacion të bashkive për mbetjet.
Për të ruajtur standardet nga koshi deri te menaxhimi i mbetjeve. Bashkitë mbledhin para nga stacionet e plazhit. Janë para për plazhet dhe sezonin turistik. Është keqmenaxhimi i bashkive që burimet që marrin prej aseteve që kanë nuk i përdorin për mbrojtjen e këtyre aseteve. Falenderoj komandantin e bashkisë, pra prefektin, forcat e ushtrisë dhe studentët”, tha Kumbaro.
Aksioni nisi sot në Pyllin e Sodës në Vlorë, por Bashkia e Vlorës ka nisur aksionin e pastrimit që ditën e djeshme dhe vijon ende edhe sot, ku punonjës të thjesht e deri te Drejtorë po pastrojnë "Pyllin e Sodes".



