Deputetët demokratë kanë shkuar paraditen e sotme në Parlament rreth një orë e gjysmë para nisjes së seancës plenare.
Mes tyre janë edhe deputetët e përjashtuar një ditë më parë nga punimet e Kuvendit.
Por ata janë ndaluar nga punonjësit e Gardës që të hyjnë brenda parlamentit, madje ka pasur momente shtytjesh dhe përplasjesh fizike. Më tej ata kanë bllokuar të gjitha hyrjet, në tentativë për të penguar deputetët opozitarë.
Deputetët demokratë janë shfaqur me manekinë me veshje burgu në duar, me imazhet e përfaqësuesve të mazhorancës, mes tyre Geron Xhafa, vëllai i tij Fatmir Xhafa dhe kryeministri Edi Rama. Më tej ata i kanë vënë zjarrin manekinëve.
Sekretariati i Etikës në Kuvend miratoi pasditen e djeshme 24 masa ndëshkimore për deputetët e Partisë Demokratike të cilët shkaktuan kaos dhe i vunë zjarrin karrigeve në seancën parlamentare të së hënës, pas dënimit të kolegut të tyre Ervin Salianji me 1 vit burg.
Masa më e ashpër ndëshkimore u mor për tre deputetët demokrat, Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati, të cilët u përjashtuan 60 ditë nga Kuvendi.
Ndërkohë deputeti Edi Paloka u përjashtua 10 ditë.
Përjashtimi me 40 ditë u mor për Luan Baçin, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Edmond Spaho, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Asllani Dogjani, Qani Xhafa, Kasem Mahmutaj, Ramadan Lika, Kastriot Piroli dhe Ludovik Hasani.



