
Dy ditë pas arrestimit dhe pas zhvendosjes në Tiranë, familjarët e të arrestuarve për protestën e Rrugës së Kombit vijojnë të protestojnë përpara Drejtorisë së Policisë në kryeqytet.
Protesta nisi ditën e djeshme rreth orës 19.00, ku dhjetëra qytetarë i bënin thirrje policisë dhe kryeministrit për të liruar 23 të arrestuarit. Tensionet u përshkallëzuan kur qytetarët u futën në godinën e Drejtorisë së Policisë.
Këshilli Bashkiak i Kukësit e ka mbështetur këtë protestë duke paraqitur një deklaratë me 5 pika ku nuk pranon negociata deri në nxjerrjen e të arrestuarve.
Po ashtu, këshilltarët Bashkiakë të Kukësit kanë paditur prokurorët dhe policët që kanë lëshuar dhe ekzekutuar urdhër-arrestet për protestuesit kuksianë. Mbi ta rëndojnë 4 vepra penale, të kryera në bashkëpunim: “Heqja e paligjshme e lirisë” (neni 110); “Shpërdorimi idetyrës” (neni 248); “Kryerja e veprimeve arbitrare” (neni 250): “ “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” (neni 251). Në padinë e këshilltarëve kuksianë thuhet se ndalimet janë kryer sipas metodave që ndjekin regjimet totalitare, duke shkelur të gjitha standardet dhe parimet që sanksionohen në Kushtetutë. “Urdhrat e ndalimit janë ekzekutuar duke hyrë dhunshëm dhe duke ndaluar qytetarët në harkun kohor 02.00 – 3.30 të mëngjesit”, thuhet në padi.
Sipas Këshiltarëve të Bashkisë së Kukësit, urdhërarrestet janë lëshuar me një akt të motivuar politikisht nga organi i prokurorisë në Kukës, që nuk ka kryer procedurë të hetimit të pavarur dhe te paanshëm. “Nxjerrja pa kryer asnjë verifikim apo hetim e urdhrave të ndalimit, është bërë me qëllimin kriminal të frikësimit të banorëve dhe intimidimit të tyre për të mos ushtruar të drejtën kushtetuese të tubimit dhe lirisë së shprehjes”. Në padi theksohet se, duke mos patur nevojë urgjente, ekzekutimi i urdhrave të ndalimit, duhet të ekzekutoheshin në harkun kohor 07.00 deri në 20.00. “Hyrja në banesë në mes të natës, në një kohë ku të gjtihë familjarët e personave të ndaluar dhe veta ata, janë në gjumë, si dhe në kushtet kur këta persona nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri shoqërore, si dhe pranimi i kësaj forme të kundërligjshme nga ana e prokurorëve, përbën shpërdorim detyre për prokurorët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit”,thuhet në padinë e këshilltarëve bashkiakë të Kukësit.



