
Ish-presidenti tunizian, Zine El-Abidine Ben Ali, ka ndërruar jetë.
Ben Ali u arratis në Arabinë Saudite pas revolucionit të vitit 2011 në Tunizi, që i parapriu asaj që më vonë u quajt Pranvera Arabe dhe u përhap në Egjipt, Libi, Bahrein dhe Siri.
Ai e ka sunduar Tunizinë për 23 vjet, kohë gjatë të cilës ka bërë një pasuri të jashtëzakonshme. Kur u arratis në Arabinë Saudite thuhet se Ben Ali mori me vete 1.5 tonë ar të vjedhur nga banka qendrore e Tunizisë.
Mashtrimi elektoral
Ben Ali erdhi në pushtet në nëntor të vitit 1987, pasi bindi një ekip mjekësh ta vlerësonin presidentin ende në detyrë, Habib Bourguiba, si të papërshtatshëm për të drejtuar vendin.
Fillimisht ai ishte i zellshëm për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e turizmit në Tunizi, por më pas intoleranca e tij për lirinë politike dhe mënyra luksoze e jetesës e largoi nga tunizianët e thjeshtë.
Në vitin 2002, ai mbajti një referendum të kritikuar gjerësisht për zgjatjen e sundimit të tij personal, të cilin e fitoi me 99% të votave, ndërkohë që pati shumë akuza për manipulim elektoral.
Ai i "fitoi" zgjedhjet e vitit 2009 - mandati i tij i pestë në detyrë - me 90% të votave.
Dy vjet më vonë, vetësakrifikimi i Mohamed Bouazzi, një shitës rruge, çoi në protesta masive në Tunizi.
Më 14 janar 2011, pas disa ditësh protesta në Tunizi në të cilat u vranë dhjetëra qytetarë, Ben Ali u arratis në Arabinë Saudite.
Revolucioni në Tunizi frymëzoi egjiptianët dhe libianët që të ngriheshin kundër diktatorëve të tyre dhe në shkurt 2011 presidenti egjiptian Hosni Mubarak u tërhoq.
Në Libi, protestat kundër Muammar Gaddafit u kthyen në një rebelim të armatosur, i cili përfundoi me vrasjen e tij nga rebelët në tetor 2011.
Histori suksesi
Por ndërsa presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt, Mohamed Morsi, u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak në vitin 2013 dhe Libia pas vrasjes së Gaddafit u përfshi në dhunë dhe trazira, Tunizia ishte i vetmi vend i Pranverës Arabe që doli nga revolucionet me një demokraci funksionale.
Më 16 shtator u mbajtën zgjedhjet për të gjetur një pasardhës të Mohamed Beji Caid Essebsi, i cili vdiq në korrik, në moshën 92-vjeçare. Dy kandidatë u kualifikuan për në raundin tjetër, i cili do të mbahet pas zgjedhjeve parlamentare në tetor. / Euronews /



