Komisioni i Senatit amerikan ka miratuar këtë të martë kandidaturën e diplomatit David J. Kostelancik në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
VOA shkruan se Shtëpia e Bardhë e riemëroi zotin Kostelancik këtë vit si ambasador në Shqipëri, duke rifilluar kështu procesin për shqyrtimin e kandidaturës, pasi në përfundim të kalendarit legjislativ të vitit të kaluar, së bashku me dhjetëra emërime të tjera, ajo nuk u fut në rendin e ditës të Senatit për votim.
"Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor", tha para një viti Kostelancik gjatë seancës dëgjimore për miratimin e kandidaturës së tij.
Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.



