27 janari njihet në mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit.
Në Shqipëri, Unioni i të Burgosurve Politikë përkujtoi kontributin e patriotëve dibranë, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore mbrojtën dhe strehuan shtetas hebrenj, duke rrezikuar jetën e tyre.
Besim Ndregjoni, president i këtij Unioni, tha për shikuesit e “MCN Informacion” se dibranët Imer Ndregjoni, Ramadan Biba dhe Xhemal Herri, me ndihmën e dhënë ndaj hebrenjve, lartësuan vlerat e humanizmit dhe emrin e kombit shqiptar në plejadën botërore.
Shqipërisë nuk mund t’i mungonte kontributi dibran në mbrojtje të jetëve njerëzore, pasi Dibra ka qenë gjithmonë pjesë aktive e historisë dhe e së ardhmes së atdheut.
Në veçanti, mbarë dibranët dhe komuniteti dibran i Tiranës, më i madhi në metropolin shqiptar, krenohen me figurat e mëdha patriotike Imer Ibrahim Ndregjoni, Ramadan Biba dhe Xhemal Herri, të cilët strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë nga pushtuesit nazistë nga dimri i vitit 1943 deri në fillim të vitit 1946, kur ata u larguan drejt vendeve nga kishin ardhur.
Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, përveçse një ditë përkujtimi për viktimat hebreje, është edhe një ditë reflektimi për shoqërinë shqiptare. Kjo sepse shumë prej atyre që mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë familjet Ndregjoni dhe Biba, u persekutuan më pas nga një diktaturë e re, ajo komuniste e Enver Hoxhës.
Një ngjarje që rikthen në vëmendje guximin, sakrificën dhe fisnikërinë e këtyre dibranëve trima, të cilët me veprën e tyre humane lartësuan dinjitetin dhe emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.



