
"Rruga e Kujtesës" në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës është mbi një kilometër dhe janë ekspozuar rreth 11,500 palë këpucë. Secila përfaqëson një viktimë gjatë rrethimit të Sarajevës, i cili filloi më 6 prill të vitit 1992.
Kjo është një ditë e madhe jo vetëm për Sarajevën, por për gjithë Bosnje-Hercegovinën. Jemi krenarë për kryeqytetin dhe atdheun tonë. Më 6 prill 1945, Sarajeva u çlirua nga pushtimi fashist. Sarajeva, nga viti 1992 deri në vitin 1995, i mbijetoi rrethimit më të gjatë në historinë moderne. Mbetet ende, edhe sot, qytet modern, evropian dhe kozmopolit. Detyrimi ynë është të përçojmë të vërtetën për gjenocidin e kryer në Srebrenicë.
Rrethimi i Sarajevës zgjati 44 muaj, nga 5 prilli i 1992-shit deri më 29 shkurt 1996. Mesatarisht, 329 raketa lëshoheshin mbi Sarajevë në ditë. Gjatë rrethimit, 11,541 qytetarë vdiqën, përfshirë 1,601 fëmijë.
Ndër shkaqet kryesore të luftës, sipas njohësve të historisë, u bë referendumi për pavarësi, më 29 shkurt 1992, i Bosnje-Hercegovinës, duke sjellë shpërbërjen e ish-Federatës Jugosllave.
Përfaqësuesit politikë të serbëve të Bosnjës bojkotuan referendumin dhe shpallën republikë më vete. Qeveria serbe e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviçi u mobilizua ushtarakisht për të mbrojtur serbët në Bosnje, duke argumentuar se po shtypeshin dhe spastroheshin etnikisht.

Lufta u përhap shpejt në të gjithë vendin, duke u shoqëruar me spastrim etnik, ndërsa në një anë ishin boshnjakët dhe kroatët, e në krahun tjetër serbët.
Në fillim të vitit 2008, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dënoi 45 serbë, 12 kroatë dhe 4 boshnjakë për krime lufte. Rreth 100.000 njerëz u vranë gjatë luftës, mbi 2.2 milionë u zhvendosën dhe rreth 12,000 deri në 50,000 gra u përdhunuan, kryesisht boshnjake. Tensionet vijojnë të mbeten të larta në Bosnje-Hercegovinë.



