Vendimi i shërbimeve franceze për të thirrur 9 gazetarë për t’iu kërkuar të zbulojnë burimet e tyre ka shkaktuar polemika në skenën politike dhe në gazetari.
Thirrja e gazetarëve për të zbuluar burimet ka shkaktuar një valë zemërimi në qarqet politike dhe gazetareske të Francës. Dy gazetarët e fundit, të cilët u thirrën për dëshmi, janë gazetarja e njohur e gazetës “Le Monde”, Arian Semen, e cila po hetonte ish-bashkëpunëtorin e Presidentit Emmanuel Makron, Aleksandër Benala, që u shkarkua nga detyra për shkak se përdori dhunë ndaj protestuesve si dhe një partner i faqes së internetit “Disclose” , ky i fundit hetonte çështjen e eksportit të armëve franceze në Jemen.
Tre gazetarë të tjerë janë thirrur në ditët e mëparshme. Arian Semen, e cila ka zbuluar dhe ka ndjekur që nga fillimi çëshjten “Benala”, u thirr të mërkurën për për dëshmi në Drejtorinë e Përgjithshme për sigurinë e vendit, thuhej në gazetë.
Drejtori i informacionit i gazettes, Lik Broner, shpjegon se ky hetim vë në shënjestër artikujt në lidhje me çështjet e Aleksandër Benala, kryesisht informacionet mbi profilin e një zyrtari të aviacionit luftarak si dhe çështjeve të tjera të korrupsionit.
Sindikata e gazetarëve bëri fjalë për një goditje të re dhe të pamëshirshme ndaj gazetarisë dhe lirisë së informimit. Shumë parti kanë shprehur gjithashtu shqetësimin e tyre të thellë në lidhje me çështjen. Zëdhënësi i Partisë Socialiste, Boris Valo, tha se "është shumë i shqetësuar për përhapjen e thirrjeve të kësaj natyre", duke shtuar se liria e shtypit dhe konfidencialiteti i burimeve gazetareske janë dy elementë thelbësorë për zbulimin e supozimeve dhe skandaleve të ndryshme.
Gazetarët francezë shprehin pakënaqësinë e tyre të thellë, ndërsa pohojnë se kjo është një goditje për të drejtën e informacionit. Ndërkohë të gjithë gazetarët e thirrur refuzuan të zbulojnë informacionin.



