Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri, komenton bilancin negativ të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021, me një humbje prej 15.8 milionë euro.
Ai tha për emisionin MCN Economy se Banka nuk ka shumë transparencë në bilancin dhe llogaritë e saj financiare duke nënvizuar se për këtë çështje debati është kahershëm.
Ne gjykojmë mbi bazën e disa copëzave të informacionit që nuk i kemi asnjëherë më parë. Banka u vodh dhe nuk kishte informacion se çfarë bëhej me bilancin e bankës qendrore dhe të ardhurat.
Ky është problemi kryesor me mënyrën si administrohet banka. Ka disa faktorë objektivë, normat e interesit kanë rënë në nivelet më të ulëta historike. Gjatë kësaj kohe ka qenë hall të kesh para, sepse nuk mund të investoje dot dhe fitoje dot.
Rënia e normave të interes negativ, ka bërë që për të depozituar para në një bankë, jo vetëm nuk merrje interes mbrapsht për depozitën, por duhet të paguaje ti vetë që banka të ruante paratë.
Është ajo që ka ndodhur me rezervën valutore të BSH gjatë vitit 2021. Banka e Shqipërisë rreth 4 miliardë euro i mban të depozituara në bankat kryesore të botës.
Por jo vetëm nuk ka marrë interes, por ka paguar në terma realë për të ruajtur paratë në Bankën Qendrore Europiane apo atë të SHBA. Shto dhe rënien e normave të interesit për kreditë.
Përveçse depoziton rezervën, furnizon me kredi bankat e nivelit të dytë, u jep hua bankave private, normat e interesit për këto banka kanë rënë. Ka arkëtuar më pak para se normalisht, këto janë dy treguesit kryesor të bilancit negativ. Nuk jam i sigurt që banka ka dalë me humbje, nëse sheh të dhënat e qeverisë, ka arkëtuar fitim.
Lidhur me shpenzimet dhe mënyrën si administrohet Banka qendrore, Tomorri shtoi se ky është një debat që është bërë dhe vazhdon prej vitesh në Shqipëri.
Ka bonuse zemërgjera dhe rroga zemërgjera, krahasuar me sektorin publik dhe privat. Është zgjedhur kështu se duhet një institucion i fortë që të ketë ekspertizë për kryerjen e detyrave ruajtjen e çmimeve për të mos pasur rritje inflacioni dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar që të mos përballemi me krizë financiare, që do ketë pasoja për ekonominë.
Sa i takon historisë së hotel Dajtit, Tomorri tha se vazhdon prej vitesh.
Sipas tij, është një projekt që ka nisur pa transparencë, vazhdon pa transparencë dhe askush nuk e di se kur do të jetë gati dhe se sa para ka marrë për rikonstruksionin.
Është një kontratë dhe shteti ka ligje që rregullojnë kontrata, prokurohet një objekt i caktuar, ka afate kur duhet të mbarojnë punimet, nuk dimë asgjë për këtë rast.
Banka është një institucion që në pjesën e shpenzimeve është jotransparente. Nuk e dimë koston e rikonstruksionit dhe pse ka vonesa, nuk ka pasur sqarim nga BSH.
Paratë e bankës qendrore janë para publike, të qytetarëve shqiptarë, aktivitetet përmes të cilave banka që fiton para, është e drejta e shtypjes së parasë, është institucion publik dhe paratë janë publike.
Çdo institucion publik që menaxhon para publike, duhet të jetë transparent. Pasi në të kundërt ka vend për abuzime dhe keqmenaxhim fondesh.
Hotel Dajti është rast flagrant, ka marrë kohë më shumë se sa disa nga veprat më të mira në botë. Është e pakuptueshme se çfarë ndodh aty dhe se si banka nuk jep informacion se çfarë po ndodh me këtë kontratë.
Tomorri deklaroi në vijim se nuk e shqetëson bilanci financiar i bankës, se sa fitim apo humbje, por se shqetësim bën mënyra si banka bën punën.
Nuk është vetëm faktin se Banka Qendrore dështon prej disa vitesh të kapë objektivin e inflacionit që i ka vendosur veten, duhet ta targetojë inflacionin në 3% por prej vitesh ka qenë ose 1% ose 7%. Kemi arritur dështim në objektivin kryesor. Shqetësim përbën mënyra se si mbikëqyret sistemi financiar në vend.
Ka pasur ndryshime të konsiderueshme, janë larguar banka greke, franceze, etj. Dhe këto banka janë zëvendësuar me banka që janë biznese familjare, element me risk shumë më të madh se sa rezultati financiar i bankës qendrore, nëse fiton 1 milionë euro apo humbet 1 milionë euro.
Është ngritur si shqetësim nga BE për mënyrën se kujt i jepej licenca për këto banka. Është e rëndësishme që aksionerët e rinj të bankave të përmbushin kriteret që kërkon ligji.
Kemi pasur licenca për fonde investimesh, ky nuk hyn tek praktikat e mira.
Sa i takon rritjes së të ardhurave, Tomorri deklaroi se sa më shumë rritjen çmimet në treg, aq më shumë fiton qeveria.
Qeveria mbledh të ardhura por nuk realizon shpenzimet, tha ai, duke nënvizuar se kërkohet më shumë fleksibilitet në menaxhimin e të ardhurave publike.
Niveli i sufiçitit dhe niveli i shpenzimeve janë më pak se plani. Qeveria duhet të kishte mbështetur më shumë biznesin dhe të mos i grumbullonte këto para.
Ka pasur politikë të ngurtë për shpenzimet dhe kjo është e dëmshme. Rritja vjen prej rritjes së çmimeve të artikujve që Shqipëria importon nga jashtë.
Çdo import taksohet në doganë dhe Tvsh, nëse është nga mallrat e fortë si karburanti, alkooli, cigaret, etj., taksohet prej akcizës.
Rritja e të ardhurave vjen prej rritjes së çmimeve, jo për shkak të rritjes së importeve në vëllim. Si fitorja e Pirros, nga njëra anë qeveria gëzon se po mbledh para, por nga ana tjetër ka shtrëngim ndaj ekonomisë.
Një situatë kur çmimet rriten dhe ekonomia ndrydhet, ose mbinxehja e ekonomisë.



