Në prag të festave të nëntorit dhe fundvitit, qeveria vendos t’u dhurojë 570 të dënuarve lirinë ndërsa mbi 3000 personave në hetim dhe burg, nga pushim procedimesh e deri në ulje nga 1.5 në 1 vit burg. “FactCheck” zbardh projektligjin i cili përfshin mbi 100 vepra penale që amnistohen.
Pas tre vitesh mazhoranca arrin të depozitojë në parlament draftin për amnistinë masive. Emisioni “FactCheck” sjell një lexim të amnistisë se si ajo do të aplikohet në rast se merr votat e deputetëve dhe bëhet aktive.
E fundit amnisti që ka liruar nga burgjet 170 persona i përket vitit 2020, pra tre vite më parë. Ndërsa amnistia e dorëzuar në parlament më datë 6 nëntor 2021 e njoftuar edhe në rrjetin social Facebook nga ministri i drejtësisë Ulsi Manja pritet të miratohet brenda këtij viti.
Sa do të jetë numri i atyre që fitojnë lirinë me këtë amnisti?
“FactCheck” mëson se janë 570 persona që do të lënë qelitë e burgjeve përfshi burra e gra, ndërsa përfitues të amnistisë me ulje dënimi nga 1 vit deri në 1.5 vite dhe pushim të procedimeve penale numri arrin në afro 3000 persona duke e bërë amnistinë më të madhe në pesë vitet e fundit.
Por cila ishte arsyeja e kësaj Amnistie?
Në projektligjin e depozituar tashmë në parlament qeveria ka renditur disa arsye si: parimi i humanizmit; arritja e qëllimit të dënimit; rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen; edukimi dhe rehabilitimi; mbrojtja e interesit publik; dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe femra; rritja e eficencës në sistemin e drejtësisë; mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.
Referuar statistikave zyrtare deri në muajin shtator 2023 në burgjet e vendit janë 2195 persona të dënuar mes tyre 32 gra, 187 persona me burgim të përjetshëm.
Burgu me numrin më të madh të të dënuarve rezulton IEVP Fier me 529 të dënuar, ndjekur nga IEVP Shkodër me 388 të dënuar e më pas IEVP Peqin me 331 të dënuar.
Burgu 313, apo njohur si IEVP Jordan Misja ka numrin prej 7 të dendurish dhe burgu me numrin më të vogël është ai i Lezhës me vetëm 4 të dënuar.
Shifrës prej 2195 të dënuar të cilët do të preken nga amnistia i shtohet edhe ajo e të paraburgosurve prej 3052 personave të cilët ndodhen në qeli dhe ende pa dënim final.
IVEP Jordan Misja ka numrin më të lartë të të paraburgosurve me një total prej 443 persona, ndjekur nga IEVP Fushë Krujë me 322 shtetas dhe IEVP Fier prej 320 të arrestuar.
Numrin më të ulët të personave në pritje të vendimit të gjykatës për dënim apo pafajësi e ka IEVP Kavajë, njohur si burgu i të miturve prej 20 shtetasish, ndjekur nga IEVP Kukës prej 31 shtetasish dhe IEVP Ali Demi apo burgu i grave prej 50 personash.
Në total të dënuar e paraburgosur janë aktualisht në qeli 5247 shtetas mes tyre burra e gra, ku me amnistinë në rast të miratimit numri do të ulet ndjeshëm.
Nga 2195 të dënuar pritet të lirohen 570 prej tyre duke lënë në qeli vetëm 1625 të dënuar. Ndërsa të paraburgosurit që do të fitojnë lirinë pritet të jenë më shumë kjo për shkak edhe të pushimit të procedimeve penale që kanë një marzh dënimi deri në dy vite.



