Sonte, në Zululandin e Mustafa Nanos ishte i ftuar akademiku Bahri Beci, i cili sapo ka publikuar librin "Struktura dialektore e shqipes", botim i UET-it. Në këtë libër, Beci mbron tezën se shqipja është e ndarë në njësi dialektore të mëvetësishme, duke përjashtuar në këtë mënyrë ndarjen e njëpasnjëshme (suksesive) të shqipes dialektore nga njësi më të mëdha në njësi më të vogla. Libri i drejtohet një publiku me interesa shkencore, sidoqoftë.
Por Nano në pjesën e dytë të Zululandit u ndal ajo që ka ndodhur me gjuhën shqipe pas Luftës së Dytë Botërore, dhe tek disa personalitete të shkencës së gjuhësisë, të cilat kanë diktuar zhvillimenë këtë lëmë. Beci nuk i kurseu lëvdatat për Eqerem Çabejn. Sipas Becit, ai është emri më i rëndësishëm i gjuhësisë shqiptare. "Çabej ka qenë student i profesorëve më të njohur të kohës në Austri.... Dhe ai është afirmuar qysh herët si gjuhëtar i zoti", shtoi ai. Dhe vijoi: "Kur regjimi ka pasur nevojë që ai të jetë njeri i evidentuar, e ka evidentuar, por në momente të tjera, sidomos në periudhën pas Luftës II, ose kur bëhej lufta e klasave, ai ka qënë njeri i përndjekur ".
Për Androkli Kostallarin ai tha se "ka qënë njeri me formim gjuhësor shumë të mirë, ka qënë shumë i zgjuar, por ka qënë i indoktrinuar, dhe për mua të jesh i indoktrinuar është shumë".
Për Arshi Pipën tha se ai "si studiues i letërsisë ka qenë i veçantë, por ai nuk ka qënë gjuhëtar, ai ka hyrë në gjuhësi më shumë si politikan sesa si gjuhëtar". Dhe e mbylli duke pohuar se "unë nuk jam me tezat e tij, [ai jep] të dhëna [të rëndësishme], dhe gjëra shkencore të vlefshme, por kur vjen puna te tezat themelore që kanë të bëjnë me historinë e formimit të shqipes, [ai thotë gjëra] që janë të diskutueshme".
Në fund të Zululandit, Nano e Beci u morën vesh që bisedën ta vijojnë edhe nesër. Kështu që nesër në Zululand do të jetë sërish akademiku Bahri Beci, që jeton prej më shumë se dy dekadash në Paris.



