Semanaj: Hakerat arritën në zemrën e AKSHI-t, janë marrë edhe të dhënat e të miturve (VIDEO)

Semanaj: Hakerat arritën në zemrën e AKSHI-t, janë marrë edhe të dhënat e të miturve (VIDEO)

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga sulmi kibernetik që gjunjëzoi AKSHI-n, nga institucionet shqiptare nuk ka ende transparencë të plotë lidhur me të. Ndërkohë që në faqen “Homeland Justice” publikohen rregullisht të dhënat e qytetarëve shqiptarë, qeveria nuk ka dhënë informacion se cilat rrjete janë prekur dhe nuk i ka udhëzuar qytetarët se si duhet të mbrohen në këtë realitet të ri, kur shumë informacione që lidhen me jetën e tyre janë online. Në studion e lajmeve të MCN TV, eksperti i IT, Besmir Semanaj, tha se publikimi i numrave të telefonit lidhet me të dhëna të tjera që përfshijnë edhe familjarët e mitur. Semanaj solli rastin e dy vajzave të tij, të dhënat e të cilave janë gjithashtu online, pavarësisht se jetojnë jashtë vendit prej disa vitesh.   

Nuk kemi çeduar nga ligjet. Edhe ligji aktual për mbrojtjen e të dhënave është i mjaftueshëm. Por kemi çeduar nga ana teknologjike. U hakuam sepse kishim mangësi teknologjike, që nga dalja e të dhënave e patronazhistëve.

Në rrjedhjen e javës së kaluar dolën numrat e telefonit të qytetarëve. Por rezulton diçka tjetër. Me numrin tim të telefonit rezultonin të lidhur edhe dy gocat e mia, me të gjitha të dhënat. I vetmi kontakt që ato kanë pasur me shtetin shqiptarë është aplikimi për pasaportë.

Pra ne duhet të dimë cilat institucione janë prekur. Nga kanë dalë të dhënat. Pra me daljen e fundit, nuk kemi vetëm numra telefoni, por edhe të dhënat e fëmijëve. Kur unë jam larguar nga Shqipëria vajza ime ka qenë 5 vjeç dhe i vetmi kontakt i saj me shtetin ka qenë aplikimi për pasaportë.

Çdo e dhënë e qytetarëve shqiptarë, duke nisur nga drejtuesit e institucioneve kryesore, është publike. Qeveria duhet të jetë transparente me qytetarët shqiptarë dhe të na japë një manual si të ruhemi nga keqbërësit.

Semanaj tha më tej se ndërkohë që publikimi në vijim i këtyre të dhënave tregon se pre e hakërrimit kanë rënë serverat më të rëndësishëm, pavarësisht se qeveria mohon në heshtje.

Nëse dëgjon drejtuesit e institucioneve, ato që shohim përditë online janë iluzione. Por realiteti tregon se një nga serverat e rëndësishëm është hakeruar për të marrë këto të dhëna. Dimë që hakerat kanë shkuar deri në zemrën e AKSHI-t. Për të hyrë aty duhet të kesh akses në rrjedh dhe akses si përdorues. Hakerat i kanë pasur të dyja.

Si qytetar nuk më interesojnë emailet e x zyrtari apo tenderat, por më interesojnë të dhënat e mia. Si t’i mbroj ato?

Jemi në situatë kaotike dhe të paudhëzuar si të lundrojmë në internet. Këtë herë duhet të jemi të sinqertë me qytetarët.

Sa u takon të dhënave që lidhen me Policinë e Shtetit dhe sistemin TIMS, Semanaj tha se ato janë hakeruar falë ndërveprimit të sistemeve që institucione të ndryshme kanë me njëra-tjetrën.

Janë dy struktura të veçanta. Nëse kemi një raport teknik për pjesën e AKSHIO dhe e-Albania, nuk kemi asnjë info për Policinë e Shtetit. Pikënisja e sulmit ka qenë në një rrjet tjetër që ka akses te rrjeti i policisë. Kërkohet transparencë nga institucionet shtetërore. Sistemet ndërvreprojnë. Nëse preket njëri, mund të jenë prekur edhe të tjera sisteme.

Problemi sipas Semanaj nuk është shkatërrimi i informacionit, por grabitja e tij, çka e bën armë në duart e hakerave, gjë që ngre pikëpyetje të mëdha për mënyrën si mund të përdoret në të ardhmen.  

Pjesa më e madhe e të dhënave janë rikuperuar. Por çështja është te të dhënat që kanë dalë, që do të përdoren kundër shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Ne po e shohim se ato tashmë janë online. Nga shumë qytetarë marr ankesa që në momentin që shkojnë në një institucion dhe nuk marrin dokumentin e kërkuar u thuhet që është pasojë e sulmit. Problemi nuk është se informacionet janë shkatërruar, problemi është se informacioni është grabitur. Është bërë publik dhe secili prej nesh mundtë bëhet viktimë e krimit kibernetik. Do të vijë një moment që pjesa më e madhe e jetës do të jetë digjitale dhe në këto kushte, risku për qytetarët shqiptarë është shumë i lartë.

Në fund, Semanaj theksoi se Shqipërisë i duhet një agjenci e mirëfilltë e krimit kibernetik, që të mos jetë e lidhur me AKSHI-n.  

Pjesa më e madhe e shteteve kanë agjenci që merren me krimin kibernetik. Në Shqipëri ajo duhet të jetë e veçantë, nuk mund të jetë e lidhur me AKSHI-n. Edhe në kompani private njësia e krimit kibernetik varej nga CEO dhe jo nga një drejtori e caktuar. Ka ardhur momenti që njerëzit që merren me krimin kibernetik duhet të vlerësohen.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy