
Lulzim Basha do të vazhdojë të jetë kryetar i Partisë Demokratike të paktën deri në veren e vitit 2025.
Ai fitoi zgjedhjet me rreth 81% të votave brenda selisë blu me nje rezultat të thellë në raport me tre rivalet e tij.
Zyrtarizmi i të hënës i këtyre zgjedhjeve është pothuajse një formalitet.
Numërimi dhe shifrat e para erdhën nga rrethet, prej nga trendi i votave pa dukshëm diferencën e Bashës ndaj tre kandidatëve të tjerë, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.
Në shifra konkrete, Basha rezulton fitues deri tani i 81.34% të votave. Ai ka marrë 32 mijë e 845 vota të anëtarësisë së demokratëve. Ndjek Agron Shehaj me 6 mijë e 38 vota, Edith Harxhi me 961 vota dhe Fatbardh Kadilli me 763 të tilla.
Me këtë fitore, Basha rikonfirmon brenda PD-së përkrahjen dhe legjitimon arsyetimin e tij për humbjen e radhës në zgjedhjet e 25 prillit, atë të “vjedhjes” së tyre nga socialistët.
Rivalët e Bashës në zgjedhjet e kësaj të diele u ankuan për probleme me listat e votuesve dhe mohimin e të drejtës së votës për mjaft demokrate.
Përndryshe kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana, ka theksuar se rezultati i votimit për kreun e Partisë Demokratike do të dalë ditën e hënë, më 14 qershor.



