
Mbrëmjen e djeshme, Anton Keli, 51 vjeç, djal halle me dy vëllezërit Gjini, u qëllua për vdekje nga persona ende të paidentifikuar sapo zbriti nga makina. Sipas burimeve nga policia, mësohet se Keli është qëlluar sapo ka zbritur nga automjeti i tij teksa tentonte të shkonte në banesën e tij. Autorët e kanë qëlluar vetëm një herë, ndërsa plumbi e ka prekur në pjesën e pasme të shpinës, duke i prekur edhe zemrën. Si pasojë, kjo i solli edhe vdekje disa minuta pas ngjarjes. Edhe pse i plagosur, 51-vjeçari ka shkuar në marketin e lagjes ku i ka treguar shitëses që e kanë plagosur dhe më pas ka rënë pa ndjenja në tokë. Mësohet se viktima jetonte vetëm me nënën e tij, ndërsa familja jetonte prej vitesh në Gjernami. Ndërkohë, dyshohet se vrasja e 51-vjeçarit Anton Keli, kushëriri i Armando Gjinit dhe Preng Gjinit, vijon sagën e vjetër të hakmarrjes në Mirditë. Në 4 vitet e fundit nga përplasja mes dy fiseve Gjini dhe Reçi janë ekzekutuar disa persona në Belgjikë, Romë dhe Shqipëri. Sajmir Jaku, Gasper Reçi, Kreshnik Gjini, Tonin Gjini dhe Kastriot Reçi janë viktimat e hakmarrjes së egër mes dy fiseve.
Vrasja e zyrtarit të OSHEE-së
Sajmir Jaku, drejtor i Tensionit të Lartë në OSHE për Veriun, u vra më 9 shtator 2016. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje zyrtarin, ndërsa nga të shtënat me armë edhe një person tjetër mbeti i plagosur. Policia ka thënë se Sajmir Jaku është qëlluar me kallashnikov kur ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit me një shok. Pas vrasjes, autorët braktisën automjetin tip “BenzMercedes” në një fshat të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan. Ngjarja mbeti e pasqaruar, edhe pse për hetimin e saj u angazhua Policia dhe Prokuroria me gjithë burimet e tyre njerëzore. Me dhjetëra veprime hetimore u kryen për disa muaj me radhë, por përfundimisht ngjarja ka mbetur pa autorë. I vetmi fakt që dihet është se autorët e atentatit kanë qenë dy persona.

(Sajmir Jaku)
Vrasja në Itali
Një tjetër krim që u dyshua se kishte lidhje me këtë serial hakmarrjeje, ishte vrasja e ndodhur më 28 prill 2017 në Itali, ku u ekzekutua shtetasi Gaspër Reçi, i cili u qëllua me katër plumba. Policia dyshonte se vrasja e Gaspër Reçit mund të ishte kryer si hakmarrje për vrasjen e Sajmir Jakut. Pak më vonë, më 6 shtator të po atij viti, vritet 31-vjeçari Kreshnik Gjini në komunën e Forestit të Belgjikës. Gjini ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Gaspër Reçit në Romë. Në lidhje me tri ngjarjet, mësohet se Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit ka shkëmbyer informacione e prova me Policinë belge dhe atë italiane.

(Gasper Reçi)
Vrasja në Belgjikë
Policia shqiptare u përfshi në hetimet për vrasjen e 31-vjeçarit Kreshnik Gjini, i cili u ekzekutua më 6 shtator 2017 në Belgjikë. Ka qenë Policia belge ajo që ka kërkuar ndihmën e Policisë shqiptare për hetimin e ngjarjes, e cila dukej se kishte lidhje me një serial vrasjesh e hakmarrjesh të ndodhura edhe në vendin tonë. Një vajzë e identifikuar me emrin Kristina, e cila ka qenë e dashura e Kreshnik Gjinit, ka pohuar për policët belgë se daja i 31-vjeçarit është vrarë një vit më parë në Shqipëri. Daja i tij ishte Sajmir Jaku, ish-drejtori i linjës së Tensionit të Lartë për Veriun në OSHEE. “Ai ndihej i kërcënuar”, ka thënë e dashura e Kreshnik Gjinit në dëshminë e dhënë para hetuesve. Bazuar në historinë e 31-vjeçarit të vrarë, por edhe në dëshminë e dhënë prej së dashurës, hetuesit belgë dyshonin se vrasësit ishin shtetas shqiptarë që mund të kishin vepruar për çështje hakmarrje.
Vrasja në Rrëshen
Më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48- vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Hetuesit, nga ana tjetër, nuk përjashtojnë pistën e gjakmarrjes, pasi familja e tij është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë. Por, nisur nga mënyra e ekzekutimit, e cila i ngjan stilit mafioz, hetuesit thonë se ka pak gjasa që të bëhet fjalë për hakmarrje. Në konsideratë është marrë dhe një pistë e tretë, që ka të bëjë me dyshimet e vrasjes për shkak të borxheve. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë. Viktima, i njohur ndryshe si Tonin Gjini, ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij në vitin 2018 dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes. Konflikti midis dy familjeve nisi në vitin 2016 për shkak të një ngarkese droge nga Turqia.

(Kastriot Reci)
Viktimat në 4 vite
-9 Shtator 2016 vritet Sajmir Jaku
-28 Prill 2017 vritet Gasper Reçi
-6 Shtator 2017 vritet Kreshnik Gjini (nipi i Sajmir Jakut)
-12 Gusht të 2019 vritet Tonin Gjini
-7 Janar 2020 vritet Kastriot Reçi
-15 Dhjetor 2020 vritet Anton Keli-ende pa pistë konkrete dhe autorë



