
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se dorëzimi i mandatit është fitore e opozitës dhe qytetarëve. Në një prononcim para Kuvendit, Berisha u shfaq kontradiktor me veten, duke u shprehur se dorëheqja e Tahirit si deputet ishte rezultat i presionit nga bota e krimit.
“Kjo është dëshmi e forcës së krimit. Atë që nuk bëri dot Parlamenti, e bëri Saimir Trafiku. Një takim i fshehtë është paralajmëruar se është bërë në një spital të Tiranës. Në atë takim tresh janë bërë premtime për kulla. Është fitore e qytetarëve dhe opozitës që mban flamurin e dekriminalizimit”, tha ai.
Për Berishën, largimi i Tahirit nuk mund të konsiderohet fitore përsa kohë vendi drejtohet nga qeveria “Rama”. “Por asgjë nuk ndryshon nëse njeriu që vetëm mashtron qytetarët qëndron atje brenda (në Kuvend). Asgjë nuk sjell flakja e Tahirit jashtë Parlamentit, përsa kohë aty qëndron Edi Rama. Edi Rama është gjeneratori i të gjitha të zezave. Ai është kalbësira e pushtetit që duhet të hidhet sa më parë”, tha ai.



