
Emisioni “Xhadat” ka trajtuar problemin e fermerëve ambulantë, të cilët në mungesë të pikave të grumbullimit detyrohen të dalin nëpër tezga për të shitur prodhimet e tyre bujqësore. Ky është realiteti në fakt, por kryeministri Edi Rama, në 18 maj të vitit 2022 tha se këtij problemi i është dhënë zgjidhje me kohë.
“ Për të gjithë ata që flasin unë kam një shëmbull shumë të thjeshtë. Nuk ka qenë para 100 vjetësh, por ka qenë para 7-8 vjetësh që autostradat e Shqipërisë ishin të mbushura me tezga, fruta-perime. Në çdo kilometër kishe tezga të mbuluara me fier… me fermerë, fshatarë që rrinin atje në mes të diellit për të shitur frutat dhe perimet. Ky ishte tregu bujqësor i Shqipërisë. Nëpër rrugë! Ku janë sot? Pse s’ka më? Për mua që i di përmendësh të gjithë rrugët e Shqipërisë se i kam bredhur shumë herë, po ju them se mund të ndodhi, ka kohë që s’po ndodhë që të shohë tezga të shtrira me dhjetëra metra, makina që ndalojnë për të blerë. Nuk ka më, sepse është gritur një sistem tjetër… por janë pikat e grumbullimit sot”- u shpreh kryeministri.
Nga vëzhgimi që “Xhadat” bëri përgjatë aksit Lushnje-Sarandë rezulton se ka plot fermerë që rrinë në pikun e vapës duke tregtuar fruta-perime nëpër tezga .
“Ku ka pikë grumbullimi në Delvinë moj, i shesin vetë njerëzit. Këtu në rrugë i shesim. Delvina ka mbaruar. ( Sarandë)
Nuk na i marrin pikat se janë mbushur plot, dmth nuk ka treg. I bëjmë vetë qershitë. Nuk ti marrin, na i lënë në dorë. I kemi çuar por kanë të gjithë qershi. (Tepelenë).
Nuk ka pika grumbullimi këtu. Kështu i shesim të tërë ne në rrugë. Kam 4-5 vite që shes këtu dhe fitoj rreth 10 mijë lekë. Ka ditë që marr vetëm 5 ose 6 mijë lekë. (Mallakastër)
-Ata na i marrin fare me 50 lekë, ku na leverdis me aq lekë. Ne me qershi dhe ullirin jetojmë. Pikat e grumbullimit, qershinë ma marrin me 100 lekë, kurse këtu e shes 200 ose 300. Nuk ja vlen se vetëm transporti me bën aq mua. Vetëm tani për sezonin jam, kam 20 ditë që shes në rrugë. (Sarandë)
- Nuk na i marrin pikat se tallen me çmimin. Policia vjen 4 herë në ditë, na bezdisin. Unë e shes 50 leke me kile ai thotë 17 lekë. Na i zgjedhin edhe me kokrra. (Cermë)
-Nuk ka punë. Gjithe ditën kam bërë 5 mijë lekë. Rri nga ora 7 e mëngjesit deri kur errësohet. Sa të nxjerrim koren e bukës. ( Lushnjë)
-Vjen policia dhe thotë mos shisni më këtu. Po na marrin në qafë. (Berat)



