
Jeton Zulfaj, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e cilëson si jashtëzakonisht të rëndësishëm Samitin e Procesit të Berlinit.
Ai thotë se janë tre marrëveshje të procesit të Berlinit, që do të pasohen nga të tjera.
Duke folur për MCN Live, Zulfaj deklaroi se janë tre marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve, diplomave dhe profesioneve të cilat krijojnë një bazë të re bashkëpunimi dhe që lehtësojnë jetën e qytetarëve në lëvizje dhe mobilitet.
Sjell edhe heqjen e vizave me Bosnjën dhe njohjen e diplomave mes Kosovës dhe Serbisë, por jo vetëm. Do të pasohet së shpejti edhe me marrëveshje të reja, për qytetarët e vendeve të treta.
Me një vizë do të arrijnë që të lëvizin në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit, Kosovën përballë Serbisë e vendos në pozitë të barabartë me gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ne jemi palë dhe pjesëmarrës i barabartë i këtij procesi, si shtet i pavarur dhe sovran ku garantohet barazia dhe respekti i ndërsjellë.
Këtë kemi insistuar që nga fillimi që të gjithë të trajtohemi të barabartë. Kosova është palë e barabartë, me rëndësi është që të mos nxjerrim legjislacion në kuadër të këtij bashkëpunimi rajonal, por do të përdoren rregullat dhe standardet e Bashkimit Europian.
Me Serbinë është një hapësirë e re bashkëpunimi, në nivel rajonal. Është shumë e mundshme që të zgjerojmë bashkëpunimin në shumë fusha, duke respektuar barazinë e palëve, se këto marrëveshje nuk janë për politikanët, por për qytetarët.
Zoti Kurti tha se nuk i mungonte Vuçiç, tha që nuk i ka munguar në takim dhe kjo është më se e vërtetë.
Lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas marrëveshjes për targat, ai deklaroi se është përpara një plan i cili do të jetë i ndarë në objektiv dhe sekuenca të zbatimit dhe si i tillë do të zbatohet apo është në veprim nga institucionet e sundimit të ligjit dhe vazhdimisht do të ketë rifreskim të qasjes dhe të veprimeve nga ana e institucionet e qeverisë së Kosovës.
Ajo që ne po bëjmë është sigurimi i ligjshmërisë në territorin e Kosovës, duke pasur parasysh ndjeshmëritë e qytetarëve të Kosovës.



