Nënprefekti i qarkut Vlorë Kristo Koçi për situatën e zjarrit në zonën e Finiqit, thotë se situata paraqitet e vështirë në fshatin e Leshnicës së poshtme, ku zjarri ka kaluar në disa banesa.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se janë evakuuar banorët e zonës për të shmangur rrezikun, pasi shtoi se situata nuk është ende nën kontroll.
Situata është problematike kemi dy vatra problematike, më kritike është ajo e Leshnicës. Kemi pasur një natë të vështirë duke evakuuar njerëzit në fshatin Leshnicë e poshtme, për shkak të erës së madhe që ka fryrë gjatë natës, zjarri ka kaluar në disa banesa.
Kemi dy banesa të djegura. Ka pasur ndërhyrje nga forcat zjarrfikëse dhe forcat e këmbësorisë, sot filloi dhe ndërhyrja nga ajri duke shmangur rrezikun për fshatin e Leshnicës, po bëhet përpjekje maksimale që zjarri të mos kalojë në drejtim të bashkisë së Dropull.
Një vatër aktive është pranë Syrit të Kaltër, janë bërë ndërhyrje nga ajri. Nga helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes por edhe dy mjete ajrore nga Greqia. Vatrat nuk janë vënë ende nën kontroll gjatë paradites kemi pasur riaktivizim të zjarrit në fshatin Krane, ku zjarri kishte përparuar drejt banesave, çka u bë emergjente ndërhyrja e zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe forcave të rendit.
Duke pasur disa vatra njëkohësisht në zona të largëta dhe të vështira, kuptohet që kemi pasur vështirësi mjaft të madhe. Nuk kemi jetë të humbura dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Kemi pasur një bashkëpunim shumë të frytshëm me forcat e rendit dhe FNSH që i kanë paraprirë gjithë situatës.
E vështirë ka qenë dhe nxjerra e njerëzve nga banesat e tyre kjo na e vështirësoi punën por ka qenë edhe rezultative. Se rëndësi në momentin fillestar ka mbrojtja e jetës së njeriut dhe pronave.
Ka një numër shumë të madh ullishtesh të djegura, por akoma nuk kemi një informacion përfundimtar lidhur me këtë.
Ky zjarr është vazhdimi i zjarrit të Dhivrit që ka rënë të para disa ditëve, është për shkak të rrufesë, nuk përfshihet në zjarret e qëllimshme, por ishte me përmasa të mëdha se është përhapur dhe në zonën e Mesopoatmit.
Në fshatin Velahovë janë djegur disa shtëpi, por edhe ullinj dhe koshere bletësh në një numër shumë të madh, jemi duke i evidentuar gjithë këto problematika.
Pjesa më e madhe e këtyre banesave, kanë qenë banesa që nuk kanë qenë të banuara, por të braktisura për shkak të emigracionit.
Zjarri ka përfshirë pikërisht ato banesa që nuk ishin të pastruara dhe mund ë përfshiheshin më lehtësisht nga zjarri.



