Yasmeen Lari, e njohur si arkitektja e parë femër e Pakistanit, është bërë gruaja e parë që nga Zaha Hadid që fiton medaljen prestigjioze të artë mbretërore, dhënë nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA).
Lari, e përshkruar nga RIBA si "një forcë revolucionare në Pakistan", u njoh për punën e saj duke krijuar shtëpi të rehatshme dhe miqësore me mjedisin për ata njerëzit e margjinalizuar, që jetojnë në kufirin e varfërisë dhe në komunitetet e zhvendosura në periferi nga fatkeqësitë natyrore dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike.
Medalja e Artë Mbretërore i jepet një personi (ose grupi njerëzish) i cili ka pasur "ndikim në avancimin e arkitekturës" dhe, thotë RIBA, "puna e Yasmeen Lari përkrah konceptet e ndërtimit me zero karbon".
Çmimi është miratuar personalisht nga monarku britanik dhe i këtij viti është i pari që nënshkruhet nga Mbreti Charles III.
“Isha shumë e befasuar kur dëgjova këtë lajm dhe sigurisht u kënaqa plotësisht! Nuk e kam imagjinuar kurrë që ndërsa përqendrohem te njerëzit më të margjinalizuar të vendit tim – duke u futur në shtigje të paeksploruara – mund të vlerësohesha për profesionin e arkitekturës,” tha Lari në një deklaratë.
E lindur në Pakistan në vitin 1941, Lari studioi në Universitetin e Oxford Brookes përpara se të kthehej në Pakistan në vitin 1964, ku kapërceu "sfida të konsiderueshme" për të krijuar Lari Associates, firmën e saj të arkitekturës, duke krijuar ndërtesa të shkëlqyera për qeverinë, bizneset dhe institucionet e mëdha financiare. Por ajo ndihej në faj për sasinë e betonit dhe çelikut të përdorur, dhe ka thënë se ajo e ka "shlyer" që atëherë, duke punuar me produkte me "kosto të ulët, zero karbon, zero mbeturina".

Në vitin 1980, Lari bashkëthemeloi Fondacionin Heritage të Pakistanit me bazë në Karaçi me bashkëshortin e saj, Suhail Zaheer Lari, duke qenë pioniere në projektimin e strehimoreve dhe banesave që ndërtohen vetë. Ajo gjithashtu projektoi sobën e vetë-ndërtuar Chulah, një emetim më i ulët dhe alternativë më e sigurt për sobën tradicionale. Mbi 80,000 persona janë duke e përdorur.
Që nga momenti që ka dalë në pension, në vitin 2000, Lari është fokusuar vetëm në punën humanitare, e cila ka marrë njohje ndërkombëtare; ajo tha për The Guardian në vitin 2020 se, “Nuk është vetëm e drejta e elitës që të ketë dizajn të mirë”.
Presidenti i RIBA Simon Allford tha: “Misioni i Larit gjatë karrierës së saj 'të dytë' i ka fuqizuar njerëzit e Pakistanit përmes arkitekturës, duke angazhuar përdoruesit në dizajn dhe prodhim. Ajo na ka treguar se si arkitektura e ndryshon jetën për mirë… Ajo ka reaguar me imagjinatë dhe kreativitet duke bërë projekte të përballueshme që adresojnë nevojën reale dhe shpesh urgjente për akomodim dhe shërbime bazë.”
Tani duke u fokusuar në riparimin dhe rigjenerimin e një lagjeje kyçe të Lahores historike, puna e Larit është fokusuar te riciklimi i materialeve dhe ndërtesave.
"Arkitektura nuk ka të bëjë vetëm me tulla dhe llaç," tha ajo për CNN Style vitin e kaluar . "Ka të bëjë me të parë se si mund të ndihmoni në ndërtimin e komuniteteve."




