
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e arsyetuar me të cilin hedh poshtë shkarkimin e presidentit nga Parlamenti. Në vendimin e zbardhur sot, Kushtetuesja hedh poshtë vendimin e 9 qershorit 2021 të marrë nga Parlamenti për shkarkimin e kreut të shtetit, me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime.
Kushtetuesja i hedh poshtë gjetjet e raportit të paraqitur në kuvend në përfundim të punës së komisionit hetimor për Metën dhe rrjedhimisht edhe vendimin e marrë nga Parlamenti.
Gjykata nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, ndaj ajo do të shfuqizojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e tij nga detyra.
Në raportin prej 96 faqesh, maxhoranca e akuzonte kreun e shtetit për një sërë shkeljesh kushtetuese, me të cilat Presidenti ka cenuar rolin dhe pozitën e tij kushtetuese si Kreu i Shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar.
Shkeljet sipas maxhorancës janë konstatuar para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të vitit 2021, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore, me veprime, sjellje dhe mesazhe të dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, po përkundrazi, e ka nxitur atë me terma të tillë, që si pasojë kanë sjellë edhe organizime të ndryshme në publik, të cilat në fakt nxisnin dhunë, urrejtje, e deri edhe situata vetëgjyqësie.
Por lidhur me këto konkluzione, Kushtetuesja sqaron se:
Gjykata nuk konstatoi shkelje nga analiza e fakteve të paraqitura nga Kuvendi si ndërhyrje të Presidentit apo ushtrim të kompetencave të ndryshme nga ato të përcaktuara në Kushtetutë, pretendimi për shkeljen e nenit 94 të saj është i pabazuar.
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, maxhoranca ndërmori nismën e dytë për shkarkimin e kreut të shtetit. E para ishte ajo e korrikut 2020, kur Kuvendi u mjaftua me këshillimin e presidentit lidhur me kontrollin e ligjshmërisë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor 2019 dhe veprimeve dhe procedurës të ndjekur në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta është zgjedhur president në 28 prill 2017. Mandati i tij përfundon në korrik të vitit 2022.



