“Kurrë më pas, vetëm përpara”, do të jetë slogani i Partisë Socialiste në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit. Duke folur në MCN Live deputeti i PS Etjen Xhafaj tha se ai pasqyron realitetin politik që ngjan me filmin “Përrallë nga e kaluara”. Sa i takon rritjes së pagave nga qeveria, Xhafaj tha se është edhe një vendim politik, por i këshilluar dhe i domosdoshëm.
Duke qenë se gjendemi në të njëjtat kushte që jemi gjendur thuajse në çdo fushatë që nga fillimi i pluralizmit, me të njëjtët personazhe, të njëjtën metodologji të të bërit fushatë, balta mbi të gjitha dhe diskutimet kalojnë në plan të dytë. Kjo është një ‘Përrallë nga e kaluara’, ku prifti Sotiri mallkon të gjithë me skëterrën dhe Maliqi përdor ligjin ashtu siç i intereson atë moment. Slogani i PS pasqyron këtë realitet që përballën, jo vetëm të gjithë qytetarët shqiptare, por të gjithë ata që duan të merren me politikë, pavarësisht krahëve. Në synojmë të vazhdojmë fokusin te punët, projektet, në zhvillimin e Shqipërisë dhe një vend sa më konkurrues nga ana ekonomike dhe i hapur për qytetarët e tij”
Ne kemi vite që e diskutojmë. Opozita vetë e ka diskutuar shpesh herë këtë, që ka nevojë për rritje pagash. Nga 2013-ta e këtej jemi gjendur gjithmonë dhe në vijimësi në emergjenca. Që nga detyrimet e pashlyera, ligji për buxhetin e shtetit dhe financat publike, rindërtimi që erdhi si pasojë e tërmetit, pandemia, kriza energjetike dhe inflacioni. Buxheti i shtetit në një pjesë të mirë të këtyre viteve ka qenë në reagime emergjence. Nuk jam dakord me faktin që shumë nga ekspertët thonë kjo s’është e këshilluar. Të njëjtët ekspertë, të paktën në 7-8 vitet e fundit e kanë sugjeruar, që duhet të kishte një rishikim të pagave në sektorin publik. Nëse duam të jemi konkurrues, sepse nga korriku jemi në proces negociatash, kjo është një domosdoshmëri me të cilën ne do të duhet të përballeshim. Tipologjia e fushatave për zgjedhjet lokale ka të bëjë me administrimin e qyteteve dhe bashkive të mëdha. Po është edhe vendim politik, por ka të bëjë edhe me disiplinën fiskale apo buxhetore të një shteti. Sepse pagat rriten në vazhdimësi dhe ndryshojnë balancat e buxhetit nga brenda dhe absolutisht kjo është e konsultuar”.
Ne duhet të kemi një koordinim në mesazhin që u japim të rinjve. Tashmë jemi në një epokë hapjeje totale dhe duhet t’i përgjigjemi kësaj epoke. Nuk duhet të jetë gjithmonë ky mesazhi i zi i politikës, por duhet të jetë një mesazh shprese”.
Duke folur mbi kandidatët e PS për bashkitë e vendit, Xhafaj tha:
Nuk besoj se kishte vend për të ndryshuar shumicën dërrmuese të kryebashkiakëve, kur ata kanë performuar në një periudhë stresi për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Lista aktuale në detyrë nuk është zgjedhur me idenë që opozita s’do hynte në zgjedhje. Është zgjedhur si një listë fituese. Për dy kandidatët që ka ankimime, këto s’janë kauza penale, por kanë të bëjnë me sulme politike që në Shqipëri nuk rresht pa baltosur asnjëri. Në terren po vazhdojmë komunikimin për të siguruar që kandidatët dhe programet njihen. Së dyti bëjmë një përmbledhje të punëve të bërë në këto vite dhe së treti marrim sugjerime.
Sa i takon vizitës së Escobarit në Shqipëri, ku mes liderëve politikë që do takojë është edhe Meta, Xhafaj shprehet:
Ajo që kemi parë ditët e fundit, jo vetëm nga situata në Ukrainë, situata rreth Tajvanit, lëvizjet në sistemet ekonomike dhe financiare. Është një vizitë shumë e rëndësishme sepse kemi parë që gjithmonë e më tepër po rriten ndërhyrjet nga aktorë të tjerë, edhe nga Rusia në rajon. Besoj që po takohen të gjithë aktorët politikë, me një përjashtim specifik. Fokusi kryesor është në përdorimin dhe pasjen e një fushate sa më demokratike, dhe sa më të drejtë për votuesit. Një fokus i veçantë vjen për influencat e huaja që duhen parë deri në fund.



