
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se pushtimi rus i Ukrainës mund të shkaktojë një krizë ushqimore në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, pasi vendet që varen nga importet e grurit ukrainas dhe rus po përballen me mungesa.
“Çmimet e ushqimeve dhe karburantit po rriten shumë, zinxhirët e furnizimit po ndërpriten. E gjithë kjo po godet më së shumti më të varfërit dhe po mbjell farën e paqëndrueshmërisë politike dhe trazirave në mbarë globin”, tha Guterres gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Guterres përmendi Egjiptin, Libanin, Libinë, Somalinë, Sudanin dhe Jemenin si kombe që importojnë të paktën gjysmën e grurit të tyre nga Ukraina ose Rusia.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar tashmë një rritje të çmimeve të grurit, duke shtuar inflacionin në çmimet e ushqimeve.
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë 14% të të gjithë prodhimit global të grurit dhe 29% të të gjitha eksporteve të grurit.



