
Vizitën zyrtare në Itali me fokus të veçantë organizimin e Konferencës së Donatorëve, kryeministri Edi Rama e ka nisur me një takim me ministrin e Jashtëm, Di Maio. Kreu i qeverisë shqiptare videon e takimit e ka publikuar në faqen e tij në Facebook, ndërsa nga komunikimi me Di Maion në momentin e pritjes dhe ecjes në korridor, është zbardhur bisedën mes tyre.
"Raporti do të jetë gati për pak ditë por deri tani është përllogaritur rreth një miliard (euro)" dëgjohet të thotë Rama, ndërsa ministri italian shprehet se kjo shumë është e lartë, por shton se ka besim se do të gjendet një zgjidhje në Konferencën e Donatorëve. "Një miliard?! Shumë. Por unë kam besim se në Konferencën e Donatorëve do ta gjejmë një zgjidhje".
"Po pikërisht për këtë dua të flasim" shton më tej Rama. "Po patjetër" i përgjigjet Di Maio.
Në vizitën që po zhvillon në Itali, Rama është i shoqëruar nga Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Në takimin në Palazzo della Farnesina në Romë, kryeministri Rama dhe De Maio do të diskutojnë për organizimin e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel, për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.
08:02h- Rama sot në Romë, takim me kryeministrin Conte
Kryeministri Edi Rama, do të vizitojë sot Italinë. Ai do të qëndrojë në Romë, ku në 10:30 do të ketë një takim me homologun e tij italian Giuseppe Conte.
Në takimin Conte-Rama nuk është parashikuar as deklarata për median e as konferencë e përbashkët shtypi.
Mësohet se Rama ndodhet në Romë për të lobuar dhe për t'u siguruar se Conte, Macron e Merkel do të jenë të pranishëm në Konferencën e Donatorëve për tërmetin e organizuar nga BE në Bruksel.
Turi i vizitave të Ramës duket se do të jetë mjaft i ngjeshur gjatë këtij viti, si kryeministër por edhe kryesues i presidencës së OSBE.



