Policia daneze ka bërë të ditur se ka gjetur pjesë të trupit të gazetares suedeze Kim Wall, përfshirë edhe kokën. Wall ishte 30 vjeçe dhe është zhdukur më 10 gusht, ndërsa ndodhej në bordin e një nëndetëseje artizanale “Nautilus”.
Pjesa e kraharorit u gjet më 21 gusht në një plazh në afërsi të Kopenhagenit. Zhytësit kanë arritur të gjejnë edhe këmbët dhe veshjet e saj, bashkë me një thikë, në një qese plastike pranë vendit ku u gjet pjesa tjetër e trupit në gusht.
Një shpikës danez, 46-vjeçari Peter Madsen është arrestuar me akuzën e vrasjes me paramendim, por ai e mohon këtë. Madsen ngul këmbë se gazetarja ka vdekur aksidentalisht, pasi është goditur në kokë nga një peshë e rëndë.
Të martën e kaluar, kryeprokurori danez, Jakob Buch-Jepsen,tha se në pjesën e kraharorit të gazetares ishin konstatuar 15 plagë thike, por shtoi se shkaqet e vdekjes nuk janë përcaktuar ende me saktësi. / Ansa / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



