
Nga Gjirokastra, në shënim të 31 vjetorit të themelimit të PD, ish-kryeministri Sali Berisha përsëriti thirrjen e tij drejtuar demokratëve për t’iu bashkuar protestës që pritet të zhvillohet më 8 janar para selisë blu.
Berisha e krahasoi Bashën me ish-diktatorin komunist Enver Hoxha duke thënë se njësoj si ai, Basha shpiku derën ku duhet të hyjë kryetari i partisë në selinë e PD-së.
“Ju ftoj të bashkohemi në 8 janar, në një manifestim proteste si një festival, të shkojmë në shtëpinë tonë të demokratëve. Të respektojmë vendimin e 44 mijë anëtarëve të PD-së Ai në historinë më të turpshme si në romanet e Markezit, apo si dikur në degët e punëve të brendshme të Hoxhës, ka 3 javë që vë blinda e brava duke e bërë tempullin tonë një ndërtesë bunker për punonjësit e saj. Në atë ndërtesë futen banditë, vrasës e kriminelë, nuk futen deputetët e PD-së. Shpiku si Enveri derën e kryetarit, nga ku mund të futet Lulzim Brava.”
Berisha tha se anëtarët demokratë ia dolën të siguronin 620 mijë vota në zgjedhjet e fundit.
Ai e konsideroi Bashën një dështak dhe simbolin e vetëm të humbjeve.
“Partinë Demokratike nuk arriti të përmbushë misionin e saj, e udhëhequr nga një dështak, që është simboli më i vetëm i humbjeve dhe dështimit. Shkuam në 8 vite nga humbja në humbje. Megjithë këtë, jeni ju ata të cilët e mbajtët këtë forcë politike që nga kryesoret e vendit. Keni meritë të jashtëzakonshme. Ne dhe pa lider të vërtetë kapëm mbi 620 mijë vota. Siç thotë një fjalë e popullit, e keqja nuk ka fund. Ajo që po shohim tani së bashku në këto 3 muaj, dëshmoi se e keqja dhe ligësia, amoraliteti politik i njeriut që punuam aq shumë dhe e mbështetëm me ndershmërinë më të madhe nuk paskan fund dhe nuk njohin kufij. Këto që po zhvillohen këto ditë, u bëj thirrje mençurisë tuaj qytetare të mos mashtrohen”, u shpreh ish-kryeministri nga Gjirokastra.



