
Në Sllovaki janë mbajtur demonstratat më të mëdha të vendit që nga rënia e komunizmit. Dhjetëra mijëra sllovakë dolën në rrugët e kryeqytetit në Bratislavë, të shqetësuar nga vrasja e gazetarit Jan Kuciak. Gazetari investigativ ishte duke hetuar lidhjet e dyshuara midis mafies italiane dhe figurave të njohura politike pranë Kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, kur u vra në shtëpi muajin e kaluar bashkë me të fejuarën e tij.
Dy zyrtarë sllovakë, të cilët përmenden në raportin e Kuciak, kanë dhënë dorëheqjen, por mohojnë të kenë ndonjë lidhje me vrasjen e gazetarit. Ndërkaq policia ende nuk i ka gjetur personat që fshihen pas vrasjes së dyfishtë.
Vrasja e gazetarit dhe të dashurës së tij ka pasur një ndikim serioz në besimin e njerëzve në sistemin e qeverisjes, ndërsa i ka zemëruar të gjithë. Mësohet se në protestën e fundit kanë marrë pjesë mbi 40,000 qytetarë, shumë nga të cilët mbanin pankarta në duar duke kërkuar largimin e kryeministrit Fico nga detyra.
Ai e ka udhëhequr vendin për 10 nga 12 vitet e fundit dhe ekonomia në këtë periudhë ka lulëzuar, por protestuesit në Bratislavë kërkojnë gjithsesi dorëheqjen e tij duke kërcitur në duar celësa, ashtu si u veprua në mitingjet antikomuniste të vitit 1989.



