Një revistë ultra-konservatore në Francë shkaktoi zemërim me paraqitjen e një deputeteje me ngjyrë si skllave në zinxhirë. Kjo u pasua me reagime në të gjithë vendin, përfshirë edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Sipas një njoftimi të Presidencës franceze, Macron ka thirrur Danielle Obono nga partia e ekstremit të majtë France Unboëed për të shprehur " dënimin e tij të qartë ndaj çdo forme racizmi".
Revista Valeurs Actuelles (në shqip: Vlerat aktuale), e kishte paraqitur deputeten Obono me zinxhirë dhe qafore hekuri në një foto ilustruese për një shkrim me shtatë faqe.
"E djathta ekstreme - e urryer, budalla dhe mizore. Siç janë ata vetë", shkroi Obono në Tuiter.
Një portretizim të tillë e dënuan edhe kryeministri dhe ministrat e qeverisë franceze. Ndërsa vetë revista mohoi të ketë pasur synime raciste me paraqitjen e Obonos në mënyrë të tillë. “Është fiction por jo me qëllim të keq”, sqaroi.
Në Francë janë mbajtur një seri protestash anti-racizëm në qershor dhe korrik - përfshirë këtu demonstratat kundër historisë së saj të kolonializmit dhe brutalitetit policor - pjesërisht të frymëzuar nga lëvizja Black Lives Matter dhe vdekja e George Floyd në Shtetet e Bashkuara.
Në Francë janë shënuar disa raste të vdekjeve të meshkujve me ngjyrë dhe arabë në paraburgim policor, veçanërisht Cedric Chouviat dhe Adama Traoré. Traoré, 24 vjeç, vdiq në korrik 2016 pas arrestimit të tij në rrethana që mbeten të paqarta. Chouviat, 42 vjeç, vdiq dy ditë pasi u ndalua nga policia në janar për shkelje të trafikut, një incident që u përshkallëzua shpejt. Tre oficerë janë akuzuar në lidhje me këto raste.



