
Jamarbër Malltezi, anëtar i këshillit kombëtar në PD në një lidhje skype me MCN Live ka komentuar lidhur me dosjen e inceneratorëve ku u ndal tek çështja Ahmetaj. Ai tha se ende nuk kemi akuza konkrete për inceneratorët dhe se akuzat për korrupsion dhe kompani fiktive nuk lidhen me to. Sipas tij, SPAK po punon me doreza boksi duke mos cenuar asnjë nga figurat e larta, por po cenon ato që i hedh Rama si ushqim për koka turku. “Deri tani kemi parë thejshtë akuza për publikun, apo koka turku, por nuk kemi një akuzë tamam për inceneratorët dhe kjo që po ngrihet për Arben Ahmetaj është akuzë për korrupsion apo verifikim pasurie dhe jo akuzë për inceneratorët. Nuk është kjo çështja e inceneratorëve, nuk janë këto ryshfetet, afera inceneratorëve është një aferë ku vetëm ndërtimi është 430 milionë euro, pra një shifër çmendurisht e lartë, pra kur do flasin për 99.9%, kjo është ajo që duhet të na shqetësojë kur do mbërrijmë ne te kjo sepse mjaftonte që SPAK të bënte ca pyetje të thjeshta si për shembull a kishim ne plan veprimi? Menjëherë me këtë pyetje ti vjen në përgjegjësinë se kush e kishte mundësinë për ta hedhur në kosh strategjinë dhe planin e veprimit, kush kishte autoritetin që letrën publike që kishte bërë drejtori agjencisë së prokurimeve publike që thoshte stop s’mund ta bëni me këtë procedurë ta tejkalonte”. Në vijim ai theksoi se mjafton të shohësh se si pa u bërë ende vlerësimi i ofertave ishte bërë gati kontrata direkt me personin që do e merrte, dhe kjo sipas tij është tregon qartë këtë aferë. “Deri tani kjo e Ahmetaj është njësoj si ajo që ka ngjarë me Alqi Bllakon. Bosët e inceneratorëve ne pamë që kishte në trastë këdo, pra ata i kishin të gjithë nuk është Ahmetaj as më i keqi dhe as më pak i keqi, mesa duket këta kanë bërë hetim pasurie për Ahmetaj dhe po merren me këtë, por nëse do flasim për inceneratorët Ahmetaj ka dy përgjegjësi. Përgjegjësia e parë ka të bëjë me prekjen e fondeve të emergjencave të kryeministrisë dhe SPAK s’po e adreson këtë çështje. Përgjegjësia tjetër është kur është mbledhur ditën që është përmbytur Vlora dhe Fieri dhe Ahmetaj ka mbledhur komitetin e ndihmave shtetërore dhe ka marrë vendim jo për ti dhënë ndihma këtyre banorëve të përmbytur, por ndihmë shtetërore për prodhim energjie për inceneratorët. Pra ajo aty ishte një çudi e madhe, lidhje direkte. Pra SPAK po punon me doreza boksi duke mos cenuar asnjë nga figurat e larta, ose të cenojë vetëm ato që i hedh Rama si ushqim për koka turku për të kënaqur turmat”. Ndërsa lidhur me kërcënimet e kryebashkiakut Veliaj ndaj gazetares Ola Xama, Malltezi tha se nervozizmi i tij erdhi pasi ajo nxori në dritë faktet e reja. “Ishte e interesante të shohësh Veliajn të nervozuar dhe të dilte nga vetja. Veliaj kishte dalë nga vetja, kërcënoi direkt gazetaren, dhe kjo tregon qartë nervozizmin dhe ai vjen lidhur me faktin që Ola nxori se inceneratoeri i Tiranës ka marrë udhë nga letrat e Veliajt. Mesa mbaj mend IFC kishte bërë studimet dhe në diskutimet ka qenë që të bëhej një kapanon për të ndarë materialet ricikluese. Ajo që nxori gazetaria ishin faktet e vërteta që nxorën nga vetja kryetarin e bashkisë”.



