
Teksa maturantët ishin ende duke kryer testin e Gjuhë-Letërsisë, teza e provimit ka dalë në rrjetet sociale.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Ministria e Arsimit e cila shprehet se, autori do të kallëzohet penalisht së bashku me ata që fotografuan tezën dhe e dërguan jashtë qendrave të provimit. Ministria hedh akuza se ky rast është orkestruar qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht.
“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) me shumë shqetësim e ka ndjekur rastin e sotëm të publikimit të pyetjeve pas fillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021. Vëmë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore. MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar. Publikimi i testit në rrjete sociale pasi provimi kishte filluar nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore. MASR dhe institucionet e saj të varësisë sigurojnë maturantët dhe prindërit e tyre se provimet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me të njëjtin përkushtim e vullnet për të realizuar një administrim të suksesshëm të këtij procesi”, thuhet në njoftimin e MASR.
Ditën e sot e maturantët shqiptarë zhvilluan provimin e Gjuhë-Letërsisë. Në kohën kur po zhvillohej provimi në rrjete sociale qarkulloi testi.



