Për zbukurimin e qytetit me rastin e festave të fundvitit, Bashkia Lezhë ka menduar që në muajin prill. Në tenderin me objekt “Shërbimi për organizimin e eventeve, festave dhe dekorit në bashkinë Lezhë” me fond limit 31,1 milion lekë, vlera e parashikuar për zërin dekori i festave të fundvitit ishte 11.7 milionë lekë. Kjo vlerë është më shumë së një e treta e vlerës totale të tenderit, i cili përfshinte edhe shërbime për organizimin e eventeve të tjera.
Zbukurimet e porositura nga Bashkia Lezhë si pema qendrore e krishtlindjes, globi ndriçues, harku dekorativ e të tjera, janë të njëjta me ato që janë përdorur edhe gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021.
Këtë deklarojnë edhe qytetarët sipas të cilëve, ajo çfarë ka ndryshuar është vetëm numri i vitit që këtë herë nga dy, është kthyer në tre.
Gazetarët e Xhadave u interesuan pranë magazinës së Bashkisë që shërbente për ruajtjen e dekorit. Punonjësi u shpreh se ai ishin vendosur tashmë për zbukurim, me rastin e festave.
Edhe një nga punonjësit që po mbikqyrte vendosjen e dekorit në sheshin qëndror, pranë Bashkisë, u shpreh se këtë vit ishin bëre vetëm disa ndryshime të vogla.
Xhadat shkoi edhe në Bashkinë e Lezhës , për të pyetur se përse duheshin shpenzuar kaq shumë para për zbukurime të cilat Bashkia i ka pasur.
Sipas zëvendëskryetarit të Bashkisë Lezhë Ermal Pacaj, kjo shumë do të shërbej për dekorimin e festave të fundvitit edhe për dy vitet e ardhshme.
Pacaj u shpreh se dekori i festave të fundvitit hyn tek shërbimet që bashkia ju ofron qytetarëve të saj.
Ndonëse në maj do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e rinj të Bashkive, Bashkia e Lezhës, sido që këto të fundit të shkojnë, çështjen e dekorit të Vitit te Ri dhe eventeve, deri në vitin 2024 e ka zgjidhur.



