
Është arrestuar në Tiranë një 46-vjeçar nga Berati, që është pjesë e organizatës kriminale "Ndrangheta".
Gazetari Arsen Rusta raporton se ai kishte krijuar një aplikacion për të shmangur përgjimet e anëtarëve të "Ndragheta"-s në Itali, duke iu mundësuar këtyre të fundit komunikime sekrete.
Hetimet janë kryer nga Antimafia në Romë, në bashkëpunim me zyrën e Interforze në Polici.
Së bashku me shqiptarin Elis Roga janë arrestuar edhe 27 persona të tjerë, mes të cilëve ka edhe shqiptarë të tjerë, që akuzohen për dhunë, shantazh, pengmarrje dhe trafik droge.
Raportohet se aktiviteti kriminal është shtrirë në Itali, dhe është sekuestruar në total 1 ton kokainë dhe hashash.
Gjykata e Romës kishte lëshuar një masë arresti për Rogën, i cili ishte larguar nga Italia për në Shqipëri dhe vijonte aktivitetin kriminal.
Në një njoftim të Policisë së Shtetit ndër të tjera bëhet me dije:
"Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane dhe Projektin I-CAN, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin E. R., 46 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprat penale, “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Veprat penale për të cilat akuzohet, sipas Kodit Penal italian, parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim. Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane."



