Një operacion i kryer në Tepelenë ka çuar në sekuestrimin e 123 kg kanabis. Operacioni i koduar “Vjosa” ka çuar në pranga një 58-vjeçar, ndërsa ka nisur procedimi penal për një person në moshë të thyer.
Njoftimi i policisë
Në vijim të Planit Operacional të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për evidentimin dhe goditjen e vendmagazinimit të lëndëve narkotike, si dhe për kapjen dhe arrestimin e personave që kryejnë këtë veprimtari kriminale, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasi Seit Bejko dispononte lëndë narkotike në banesën e tij në fshatin Dukaj, Tepelenë, nga seksioni për Hetimin e narkotikëve në D.V.P Gjirokastër dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë u zhvillua operacioni “VJOSA”.
Si rezultat i operacionit, nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë u gjetën disa thasë, brenda të cilëve kishte lëndë narkotike Cannabis Sattiva. Pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 66 kg.
Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi: Seit Bejko, 58 vjeç, banues në fshatin Dukaj, Tepelenë.
Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë (për shkak të moshës) për shtetasin : Z.B, 83 vjeç, banues në fshatin Gusmar, Tepelenë, pasi në një banesë të këtij shtetasi në fshatin Gusmar (në të cilën nuk banonte aktualisht), nga shërbimet e policisë u gjetën disa thasë me lëndë të dyshuar narkotike.
Pesha totale e lëndës ishte 57 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal



