Qeveria ka vendosur sot që pas vlerësimit të dëmeve do të dëmshpërblejë në masën 100 për qind banorët e Zharrëzës, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar apo shkatërruar plotësisht nga shpërthimet në zonën naftënxjerrëse. Vendimi u njoftua nga zv.kryeministri Niko Peleshi pas mbledhjes së qeverisë.
“Në mbledhjen e ditës së sotme të Këshillit të Ministrave, siç ishim angazhuar më herët kemi miratuar vendimin për marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësinë administrative Zharrëz dhe njësia administrative Kuman në Roskovec. Ky vendim përcakton afate për vlerësimin në mënyrë të përshpejtuar për banesat e dëmtuara rëndë ose shkatërruar plotësisht dhe dëmshpërblimin e tyre në masën 100% nga buxheti i shtetit dhe Bankers sipas marrëveshjes së hidrokarbureve me ministrinë e linjës, sic është ministria e Energjisë dhe Industrisë. Vendimi përcakton gjithashtu afatin për kategoritë e tjera të dëmtimeve. Ndërkohë ka filluar puna për kontaktimin e ekspertizës së pavarur ndërkombëtare për vlerësimin shkencor të shkaqeve të lëkundjeve”, tha ai.



