“Demokracia nuk është në rrezik dhe fashizmi nuk do të kthehet në Itali”, deklaroi në një intervistë për CNN ish-kryeministri i Italisë Matteo Renzi, i cilu u shpreh i gatshëm të bashkëpunonte me koalicionin e ardhshëm të krahut të djathtë.
Matteo Renzi, tani një senator, komentoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të Italisë më 25 shtator, të fituara nga koalicioni i djathtë, i udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë së Giorgia Melonit me 44%.
“Personalisht (në këto zgjedhje) kam qenë kundër Giorgia Melonit. Jemi rritur bashkë në politikë, por rivalë jemi dhe do të jemi gjithmonë”, tha Renzi.
Megjithatë, senatori e bëri të qartë se fitorja e saj nuk përbënte rrezik për demokracinë italiane apo aleancën perëndimore. “Ajo është rivalja ime, ne do të vazhdojmë të luftojmë njëri-tjetrin, por nuk ka rrezik fashizmi në Itali. Është një lajm absolutisht i rremë”, tha ai për CNN.
Me zgjedhjet italianët zgjodhën 600 deputetë, të cilët do të mblidhen për herë të parë më 13 tetor. Presidenti Sergio Mattarella do t'i kërkojë me gjasë Melonit të formojë qeverinë e re. Meloni tashmë po punon me aleatët e saj, liderin e Ligës Matteo Salvini dhe udhëheqësin e Forza Italia Silvio Berlusconi për të zgjedhur ekipin e saj të ministrave. Qeveria e re duhet të formohet brenda javëve të ardhshme.



