Fatkeqësitë natyrore i gjejnë shqiptarët gjithnjë të papërgatitur për shkak të mungesës së kulturës së sigurimit. Në studion e MCN Economy, Avni Ponari, kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, tha se një skemë masive sigurimi do të zgjidhte problemin e dëmshpërblimit në raste fatkeqësish.
Ne nuk kemi kërkuar sigurim të detyrueshëm, por skema sigurimi që bëjnë kompensimin e gjithë qytetarëve në rast fatkeqësish natyrore. Këto skema funksionojnë në gjithë botën. Kjo i heq shtetit të gjitha përgjegjësitë që rrjedhin nga këto fatkeqësi. Në tërmetin e 26 nëntorit kishte rreth 15 000 banesa të siguruara që u paguan në 2-3 muajt e parë.
Nëse do të ketë një skemë masive, çmimi është më i ulët. Aplikimi i këtyre skemave është shumë i rëndësishëm, i vjen për shtat qeverisë dhe qytetarëve. Pra shkojmë drejt ekonomisë së tregut, ku çdo person është i lidhur me pronën.
Deri më 26 nëntor kishte rreth 30 mijë apartamente dhe shtëpi të siguruar në të gjithë Shqipërinë. Përsëri ndodhemi në një fazë që sigurohen vetëm ata që i detyrojnë bankat. Shqiptarët në këtë pikë nuk e kanë kulturën e duhur. Qeveria e merr shpesh përsipër dëmshpërblimin dhe kjo e dëmton sigurimin.



