
Policia e Fierit ka kryer kontrolle në ambiente dhe makina në pronësi të Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja, pas e kanosjes së një gjyqtari të Gjykatës së Fierit, të kallëzuar prej gjyqtarit, në Prokurorinë e Fierit, më datë 17 shkurt.
Në zbatim të vendimit të datës 19 shkurt, të Gjykatës së Fierit, Policia e Fierit dhe “RENEA” kanë kryer kontrolle në banesa, ambiente dhe automjete, në pronësi të shtetasit Arben Isufaj, 55 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, i cili është kallëzuar në Prokurorinë e Fierit, nga një gjyqtar i Gjykatës së Fierit, për kanosje të kryer më datë 12 shkurt.
55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Me qëllim hetimin e plotë të rastit, Policia ka sekuestruar sende që do t’i shërbejnë hetimit, si dhe ka shoqëruar shtetas të lidhur me shtetasin Arben Isufaj.
Policia e Fierit informon se po kryhen kontrolle intensive për kapjen e 55-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të tij, për këtë rast që ka cenuar për shkak të detyrës, një anëtar të Gjykatës së Fierit
Ndërkohë janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një palë targa të huaja, jelek multifuksional si i policisë, dy pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumente zyrtarë.
Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar në ambientet e policisë, disa shtetas me lidhje me shtetasin e shpallur në kërkim.



