Nga 1 janari ka nisur zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
Politologu Ilir Kalemaj tha në studion e MCN Live se kjo taksë e rëndon më tepër shtresën e mesme dhe i detyron profesionistet e lirë të falimentojnë.
Duke vijuar më tej, Kalemaj theksoi se ky ligj thellon hendekun social, ekonomik dhe rrit pabarazinë.
Sipas Kalemajt kjo do të prekë më tej dhe migrimin e trurit.
Janë 29 mijë individë që preken dhe janë 3 miliardë lekë që mbledh shteti.
Ti iu vjedh profesionistëve të lirë, kontabilistëve, arkitektëve, konsulentëve 3 miliardë lekë. Ia merr nga xhepi shtresës së mesme, duke e dobësuar atë akoma më tej. INSTAT thotë se 44 mijë njerëz ikin në vit. Eurobarometri thotë se 640 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë europiane, shumëzoji me 2 dhe të çon tek shifrat reale sesa shqiptarë kanë ikur. Pjesa më e madhe kanë ikur 10-vjeçarin e fundit.
Kush janë këta që ikin? Janë shtresa e mesme. Këtë kategori ti e takson akoma më tepër duke i detyruar të falimentojnë. Tek QKB-ja ka radhë të pafund të atyre që mbyllin NIPT-et e tyre, kjo është goditje për ekonominë.
Një nga problemet që ka pasur opozita është që kur ka shkuar në Kushtetuese ka shkuar e ndarë, kjo e ka dobësuar. E dyta është mënyra e kopsitjes së dosjes.
Mendoj që kjo thellon hendekun social, ekonomik, rrit pabarazinë. Ne e kemi 42% varfërinë relative sipas Bankës Botërore, nën 5.5 dollarë në ditë. Ka bërë të mundur që të afektojë emigrimin e trurit. Kjo do e thellojë më tej këtë handikap.
Kjo është qeveri e majtë që takson punën, talentin trurin, nuk takson kapitalin, lë hendeqe në mënyrë që ata që janë të pasur të kursejnë më tej. Nuk e bën asnjë qeveri e majtë.



