Tre partitë qeverisëse të Gjermanisë planifikojnë t’i heqin zyrën dhe stafin ish-kancelarit Gerhard Schroeder, i akuzuar se ka mbajtur dhe mbrojtur lidhjet e tij të gjata me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë.
Vetë Partia Social Demokratike e Schroeder tha të mërkurën se ligjvënësit në komisionin parlamentar të financave kishin rënë dakord të lidhnin disa nga privilegjet e ish-liderit gjerman me detyrat aktuale, në vend të statusit të tij si ish-kancelar.
Ata planifikuan që të paraqesin një propozim për ligjvënësit gjatë së enjtes.
Zyra e financuar nga të ardhurat publike e Gerhard Schroeder do të mbyllet dhe stafi i saj i mbetur do të shpërndahet pas shqetësimit në rritje për refuzimin e ish-kancelarit gjerman për t’u distancuar nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Është zakon që të gjithë liderët e Gjermanisë të marrin një zyrë të financuar nga shteti kur largohen nga qeveria, por tre partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës të kancelarit aktual Olaf Scholz kanë rënë dakord për një mocion parlamentar për të mbyllur zyrën e Schroeder.
Ata e kanë marrë vendimin pas refuzimit të Schroeder për të dënuar Putinin, të cilin ai ende e quan një mik të ngushtë personal, pavarësisht pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
78-vjeçari është kryetar i bordit mbikëqyrës të kompanisë shtetërore ruse të energjisë Rosneft dhe ka qenë gjithashtu i përfshirë në projektet e gazsjellësit Nord Stream dhe Nord Stream 2.



